13:18 / E Hënë, 05 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Policia ndalon veturën me 1.6 ton borë

Policia zvicerane njoftoi sot se kishte ndaluar për arsye sigurie një veturë me targa suedeze, pasi mbi karrocerinë e saj gjendeshin 1,6 ton dëborë.

Policia e kantonit të Solerit deklaroi se kishte ndaluar sot pas mesditës veturën që po i drejtohej Cyrihut.

“Pas kontrollit, pamë që mbi karrocerinë e veturës ndodhej një shtresë dëbore prej 40 centimetrash dhe, sipas përllogaritjeve, pesha e saj ishte të paktën 1 600 kilogramë”, tha policia në një komunikatë.

”Të ecësh me këtë peshë mbi karroceri përbën një rrezik të madh, pasi dëbora mund të binte mbi asfaltin e autostradës”, shtoi ajo.

Pas mbajtjes së një proceverbali, drejtuesi i veturës u detyrua të hiqte dëborën dhe pastaj u la i lirë për të vazhduar rrugën.