19:05 / E Hënë, 13 Gusht 2018 / indeksADMonline

Policia serbe arreston mërgimtarin nga Gjilani

Policia serbe e ka arrestuar mërgimtarin Ibrahim Matoshi, teksa ishte nisur për t’u kthyer në Gjermani.

Familjarët e Matoshit kanë raportuar në adresën e Kallxo.com për arrestimin e tij nga Policia serbe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë.

Arrestimi, sipas vëllait të tij, Musliut, ka ndodhur rreth orës 16:00.

Sipas familjarëve, Ibrahim Matoshi është arrestuar pasi ka kaluar në anën serbe të kufirit.

Ata thonë se nuk e dinë arsyen e arrestimit, gjë të cilën nuk ia kanë thënë as bashkëshortes së Ibrahimit, e cila ishte bashkë me të.

Ibrahim Matoshi është nga Vërbica e Kmetocit.

Ai ka nënshtetësi gjermane dhe me profesion është stomatolog.

Matoshi kishte ardhur në Kosovë për pushime nëpër të njëjtën rrugë dhe pikë kufitare dhe nuk ishte arrestuar.

Sipas informacioneve më të fundit, Policia serbe po e dërgon Matoshin në Vranjë.