20:15 / E Enjte, 19 Korrik 2018 / indeksADMonline

Polonia dhe Çekia, dy shtetet që mund t’ia prishin Kosovës heqjen e vizave

Republika e Kosovës tashmë ka kryer të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, kështu të paktën konfirmoi dje komisioneri evropian, Dimitros Avramopulos, pas publikimit të raportit pozitiv për Kosovën. Mirëpo, tani Kosovën e pret një rrugë e vështirë deri tek vendimi final i Parlamentit Evropian për heqjen e vizave.

Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se përcaktimi i afateve kohore është i pamundur, pasi që vendimi përfundimtar varet gjithnjë nga qëndrimi i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Në një prononcim për “Indeksonline”, njohësi i çështjeve integruese, Avni Mazreku ka thënë se Qeveria e vendit duhet ta bëjë tani një politikë aktive- lobuese në vendet që aktualisht janë skeptike në vendimin për Kosovën.

Ai më tej ka treguar gjithë rrugën e këtij procesi të rëndësishëm për Kosovën.

“Kosovës tash i duhet që të punojë me shtetet individuale, pra me 28 shtete anëtare të Bashkimit Evropian sepse fjala e fundit apo vendimi final varet nga qëndrimi i këtyre shtete anëtare të BE-së. Ashtu siç është thënë edhe nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimorë, z, Soltes që çështja kryesore do të varet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, aty ku shtetet përfaqësohen dhe vendimi varet nga qëndrimi i shteteve”, ka thënë Mazreku.

Më tutje, sa i përket rrezikut që mund ta pësojë Kosova, Mazreku thotë se është nga 5 shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Sipas tij, nëse njëri shtet që e ka njohur pavarësinë tonë si, Polonia e Çekia  i bashkohet atyre, atëherë mund të krijohet  sistemi i minorancës bllokuese gjatë procesit të vendimit.

“Kosovën duhet me mbështet 55 % të shteteve anëtare të BE-së  minimum që i përfaqësojnë 65 % të popullsisë së Bashkimit Evropian.  Në rastin e Kosovës duke e ditur se janë 5 shtete që nuk e kanë njohur Kosovën këto 5 shtete eventualisht munden me përdorë minorancën bllokuese por këto 5 shtete nuk i përfaqësojnë 35 % të popullsisë së BE-së. Por rreziku për Kosovën është që edhe ndonjëri nga shteti  që e kanë njohur Kosovën të i bashkohet grupit të këtyre pesë  shteteve  dhe atëherë mundet me u bë efektive minoranca bllokuese , eventualisht përdorimi i minorancës bllokuese bllokon edhe vendimin pozitiv për Kosovën”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Komisioneri i BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos dje ka dhënë raportin e tij përfundimtar lidhur me kriteret që Kosova i ka bërë në mënyrë që qytetarët të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen.

Sipas Avrapoulos, liberalizimi i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, meqë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Kujtojmë, se krerët e institucioneve në Kosovë po vazhdojnë të shprehen optimist se heqja e vizave do të bëhet në muajin dhjetor, mirëpo kjo nuk po  del të jetë edhe aq e sigurtë pasi që vendimi pritet të  varet nga qëndrimi i shteteve të BE-së.

Ndërkaq, vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën janë Spanja, Greqia, Romania, Sllovakia dhe Qipro. Ndërsa ato që e kanë njohur Kosovën por janë skeptike në qëndrimin e tyre në vendimin e Kosovës për heqjen e vizave, janë Polonia dhe Çekia. /Indeksonline/