17:38 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Porosia e kryeprokurorit për veteranët dhe Ramush Haradinajn

Në një deklaratë për KALLXO.com Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka reaguar ndaj raportimeve të fundit të cilat përmendin thirrjen e kryeministrit Haradinaj për afatin njëmujor për përfundimin e hetimeve për listat e veteranëve.

“Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur i cili funksionin e vet e kryen ne mënyre te paanshme, pa ndërhyrje nga cilido person fizik apo juridik”, ka thënë Lumezi.

Duke komentuar afatin e përmendur nga kryeministri për përfundimin e hetimeve kryeprokurori Lumezi ka porositur se askush nuk mund t’i ndërrojë afatet ligjore.

“Sa i përket afatit të hetimeve është e përcaktuar me dispozitat e KPP dhe askush nuk mund t’i ndryshojë afatet ligjore”, ka thënë Lumezi.

Ai tutje ka komentuar edhe qëllimin e deklaratës së Prokurorisë.

“Si duket qëllimi ka qenë i mirë, për të dhënë mesazh se hetimet në ketë rast duhet të jenë efikase dhe efektive”, ka thënë Kryeprokurori i Shtetit.

Veteranët e UÇK-së pas protestës së sotme deklaruan se kryeministri Haradinaj u kishte thënë se Prokuroria ka afat një muaj për të hetuar listat e veteranëve.

KALLXO.com ka tentuar gjatë ditës të marrë një qëndrim nga kabineti i Haradinajt nëse kjo deklaratë u është thënë në këtë formë veteranëve por kontakti me kabinetin ka qenë i pamundur.