12:31 / E Shtunë, 16 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Porosia e Valdete Dakës për zgjedhjet e nesërme: Kontrollohen edhe nga vëzhgues të BE-së!

Qytetarët e Komunës së Istogut nesër për herë të tretë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e tyre edhe për katër vite të ardhshme.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka treguar se janë kryer të gjitha përgatitjet për procesin e këtyre zgjedhjeve.

Ajo për “Indeksonline” ka thënë se për monitorimin e zgjedhjeve do të përkujdesen edhe vëzhgues nga Bashkimi Evropian.

“KQZ ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet në Istog, nuk ka mbetur asgjë. Sot do të bëhet shpërndarja e materialit. Monitorimin e procesit të këtyre zgjedhjeve do ta bëjnë vëzhguesit e akredituar, aty ka  të ambasadave, Bashkimit Evropian”, ka thënë Daka për “Indeksonline”.

Më tej, Daka shtoi se në këtë komunë janë gjithsej 23 qendra të votimit me 63 vend-votime.

Kjo i bie  se Istogu do të ketë gjithsej 441 komisionarë të këtyre zgjedhjeve.

Në fund, kryetarja e KQZ-së ka porositur qytetarët që ta ruajnë imazhin e zgjedhjeve të mira që janë organizuar në vendin tonë.

“Mesazhi i jem për qytetarët është që ta ruajnë procesin nesër mbi subjektet politike të cilat janë në garë. Mos ta prishin imazhin e zgjedhjeve të mira të përgatitjeve për Kosovën”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, gara zgjedhore për kryetar të Istogut zhvillohet në mes kandidatit të AAK-së, Gani Dreshaj dhe atij të LDK-së, Haki Rugova.

Kujtojmë se rivotimi në Komunën e Istogut do të mbahet pas vendimit të PZAP-së, i cili ka pranuar si të bazuar ankesën e LDK-së, e cila kishte kërkuar që të anulohen votat me postë./Indeksonline/