12:36 / E Diele, 15 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pozita kundër zgjedhjeve, Opozita thotë se do rrëzohet Qeveria!

Qeveria e Kosovës e përbërë nga partitë shqiptare, PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate, AKR dhe së fundi edhe rikthimi i Listës Serbe, po duket se ka bërë që vendimet për çështjet e mëdha si, Ushtria, Dialogu, vizat e disa të tjera  t’i përfundojë deri në fund të mandatit qeverisës. Mirëpo, kohëve të fundit gjërat janë komplikuar pasi që nuk po arrihet ende që subjektet politike të gjejnë kompromis për të kryer proceset e rëndësishme për vendin tonë.

Sa i përket çështjes se sa është e fortë Qeveria “Haradinaj”, për këtë kanë dhënë qëndrimin e tyre edhe deputetë të legjislativit, nga radhët e koalicionit qeverisës duke qenë të bindur se ekzekutivi është mjaftë stabil.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se opozita s’mund ta rrëzojë qeverinë aktuale.

Ai thotë se opozita është duke bërë hajgare, pasi që sipas tij, po planifikojnë me shku në pushime verore.

“Tashmë qeveria e Kosovës është stabile, subjektet tjera nuk mundem me dërgu ne rrëzimin e qeverisë… Gjithçka që thonë ata janë vetëm deklarata, jemi para pushimeve dhe opozita tashmë llogarisin me shku në pushime nuk kanë kohë me rrëzu qeveri, nuk e kanë përnjëmend dhe po bëjnë hajgare. Kur të kthehen ata prej pushimeve, besoj që qeveria ka me punu mirë edhe kem me vazhdu me suksese”, ka thënë Berisha për Indeksonline.

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e LDK-së, Ismet Beqiri ka deklaruar se Qeveria aktuale është shumë e dobët. Beqiri thotë se është Qeveri e brishtë me  shumë ministra dhe rekord të madh të zv/ministrave.

Sipas Beqirit, është ekzekutiv me kosto të lartë.

“Qeveri me vendime që nuk po i kontribuojnë zhvillimit te vendit. Thjeshtë Qeveri për rehatim të të njerëzve te partnerëve të koalicionit, e jo për të punuar”, ka pohuar ai.

Më tutje, Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së ka folur edhe rreth asaj që Lista Serbe është kthyer në Qeverinë “Haradinaj”. Beqiri shton se kjo nuk përbën lajm, duke  thënë se kjo ka qenë vetëm lojë politike.

“Kthimi i listës serbe, nuk është lajm, realisht nuk ka kurrfarë kthimi, sepse ata kanë qen aty, nuk janë  larguar asnjëherë Pra për me thënë u kthyen, ata ishte dashur te largohen ,e ne ketë rast kjo asnjëherë ne realitet nuk ka ndodhë, me shumë fjalë e lojë politike. Pra nuk ka kurrfarë forcimi  te qeverisë, si me serbë si pa ta, Qeveria është e brishtë dhe buzë ekzistencës. LDK është partia me e madhe në vend, parti e përgjegjshme shtrirë gjegjësisht e strukturuar në tere territorin e vendit, por edhe jashtë. Jemi në çdo moment te gatshëm për zgjedhje të reja, kjo për një parti serioze si LDK, as që vihet në dyshim”, ka thënë Beqiri.

Në fund, zyrtari i LDK-së ka theksuar se Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja. Ai ka bërë të ditur se janë duke punuar me intensitet të lartë që vendi prej shtatorit të dërgohet drejt kutive të votimit.

“Po punojmë në këtë drejtim dhe do ta shtojmë intensitetin ne këtë drejtim veçmas prej shtatorit e tutje, si me punën ne teren, ashtu edhe ne Kuvend të Kosovës. Ka një përkushtim, vullnet te anëtarësisë sonë, strukturave tona, por edhe mund te them një bindje edhe nga qytetaret, së Kosovës i duhen zgjedhje te reja, prej ku do te dalin Institucione me te fuqishme, më kredibilitet dhe besueshmëri me te madhe. Ne besojmë thellë që LDK do te dal fituese e zgjedhjeve, do te krijoj institucione stabile qeverisëse ne vend. Të punojmë që kjo të ndodhë sa me parë  për te mirën e vendit”, ka përfunduar Beqiri./Indeksonline/