15:14 / E Mërkurë, 16 Maj 2018 / indeksADMonline

Prej nesër fillon projekti i pagesave online të policave kufitare

Kryesuesi i delegacionit për kartonin e gjelbërt, Rrahim Pacolli ka njoftuar se që nga nesër fillon zbatimi i projektit të pagesave online të policave kufitare. Përfitimi kryesorë i këtij projekti do të jetë shkurtimi i kohës së pritjes në kufi, dhe rrjedhimisht kohëzgjatja e udhëtimit me destinacion Kosovën.

“Që nga nesër, 17.05.2018, fillon zbatimi i projektit të pagesave online të policave kufitare, që ka ardh si domosdoshmëri e përshtatjes së nevojave të tregut me përparimet teknologjike dhe standardet e avansuara bashkëkohore për pagesat e policave online.

Pagesat e policave do të mund të bëhen online me fillim nga nesër dhe kjo do të krijojë lehtësira të mëdha në radhë të parë për bashkëkombasit tanë por edhe për të gjithë të interesuarit tjerë. Përfitimi kryesorë i këtij projekti do të jetë shkurtimi i kohës së pritjes në kufi, dhe rrjedhimisht kohëzgjatja e udhëtimit me destinacion Kosovën.

Për ndihmën, përkrahjen dhe jetësimin e këtij projekti, do të falendëroja të gjithë personat e involvuar dhe veçanërisht: z. Flamur Sefaj – Ish Ministri i Punëve të Brendshme, z. Gani Thaçi- Koordinator i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, z. Blerim Pushkolli- Drejtor i Përgjithsëm i Byrosë Kosovare të Sigurimeve si dhe ministrat Bejtush Gashi dhe Dardan Gashi për bashkëpunim.

Njëkohësisht, i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që të lirojë nga pagesa e policave të sigurimeve kufitare të gjitha automjetet private të bashkëatdhetarëve tanë nga Diaspora, duke marrë përsipër kështu mbulimin e shpenzimeve të policave kufitare. Kjo do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë problemin e tyre rreth pagesave të policave kufitare dhe do të prodhonte efekte pozitive në kuptim të rritjes së numrit të vizitoreve dhe rritjes së qarkullimit ekonomik” shkruan Pacolli në Facebook./Indeksonline/