20:30 / E Diele, 08 Prill 2018 / indeksADMonline

Premtimi i Qeverisë për shpërnguljen e objektit të MKRS, shumë shpejt realitet

Në zgjedhjet e fundit parlamentare është premtuar që objekti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të zhvendoset në qytetin e Prizrenit.

Ndonëse qeveria është funksionale që nga shtatori i vitit të kaluar, ky premtim i dhënë ende nuk është përmbushur.

Indeksonline ka kontaktuar me zyrtarë në këtë institucion, të cilët kanë thënë se zhvendosja e kësaj ministrie vazhdon të mbetet përkushtim i tyre.

Në përgjigjen e tyre thuhet se janë në fazën finale të përgatitjes për të filluar hapin e parë drejt zhvendosjes në Prizren.

“Zhvendosja e MKRS-së ne Prizren ka qenë dhe vazhdon që të mbetet përkushtim i yni si kabinet. Në përputhje me përkushtimin tonë si ministri për të bërë decentralizimin e ofrimit të shërbimeve nëpër të gjitha regjionet e Republikës tani më jemi në fazën finale të përgatitjeve për të filluar hapin e parë të zhvendosjes së një pjesë të stafit të MKRS-së në qytetin e Prizrenit. Siç edhe mund ta dini që nga marrja e mandatit të nga ana e ministrit Kujtim Gashi ne kemi adresuar dy herë shkresa në drejtim të Komunës së Prizrenit për shfrytëzimin e dy ndërtesave të cilat do shërbenin për vendosjen e një pjese të stafit të MKRS-së”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Në përgjigjen e tyre është sqaruar se është marrë vendim që MKRS-së t’i jepen në shfrytëzim ndërtesa e ish Rektoratit të Universitetit të Prizrenit dhe ndërtesa e xhandarmërisë.

“Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Komunale të Prizrenit është marrë vendim që MKRS-së ti jepen në shfrytëzim dy ndërtesat e kërkuara nga ana jonë, ndërtesa e ish Rektoratit të Universitetit të Prizrenit si dhe ndërtesa e ish Xhandarmërisë. Marrë për bazë këtë fakt konsideroj se tani më janë plotësuar disa prej kushteve themelore, procedurale dhe infrastrukturore për të filluar procesin e zhvendosjes së një pjese të MKRS-së në Prizren”, është thënë në përgjigjen për Indeksonline.

Ndërsa, MKRS pritet që shumë shpejtë të njoftojë opinionin publik lidhur me ceremoninë, e cila do të organizohet lidhur me rastin e zhvendosjes së një pjesë të stafit të MKRS-së në qytetin e Prizrenit./Indeksonline/