16:18 / E Enjte, 17 Maj 2018 / indeksADMonline

Prishtina lë anash rivalitetin: Respekt dhe falënderim të jashtëzakonshëm për Pejën

Skuadra e Prishtinës gjatë këtij sezoni shumicën e ndeshjeve si vendas i ka zhvilluar në stadiumin e Besës së Pejës.

Krejt kjo për shkak se stadiumi i kryeqytetit është në renovim që sa vite, shkruan IndeksOnline.

Klubi bardhekaltër, përmes një shkrimi në faqen zyrtare ka falënderuar qytetin e Pejës për gatitshmërin që ia ofruan.

“E gjithë rivalitetin e madh ndërmjet dy klubeve, Prishtinës e Besës, nuk ka qytet dhe qytetarë që e kanë pritur ngrohtësisht Prishtinën se sa në këta tre muajt e fundit banorët e Pejës. Kjo do të hyjë në analet e sportit tonë. Adhuruesit tanë do ta vizitojnë edhe një herë, për herë të fundit në këtë edicion qytetin e Pejës dhe presim që adhuruesit tanë do të jenë të dinjitetshëm, me respekt dhe falënderues për mikpritjen pejane. Ndërsa, FC Prishtina do t’i jetë mirënjohës përjetësisht Komunës së Pejës e në veçanti kryetarit të komunës, z. Gazmend Muhaxheri,  punonjësve të stadiumit që iu kanë gjendur klubit tonë afër në çdo moment si dhe klubit të futbollit Besa, për konakun që na u kanë gjetur në ditët më të vështira. Ndeshja e javës së fundit përcaktuese për titullin e kampionit ndërmjet Prishtinës dhe Dritës zhvillohet të dielën më 20 maj në stadiumin “Shahin Haxhiislami” të Pejës me fillim nga ora 16:00. Të gjitha detajet tjera për ndeshje, organizim, do të shpalosen nesër në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp në zyrën e klubit nga do t’ju drejtohen drejtuesit e klubit të futbollit Prishtina dhe të policisë së Kosovës. Konferenca do të mbahet nga ora 13:00″, shkruhet në faqen zyrtare të klubit.

Ndeshja e fundit mes Prishtinës dhe Dritës zhvillohet nga ora 16:00 në stadiumin e Pejës./IndeksOnline/