09:59 / E Premte, 17 Gusht 2018 / indeksADMonline

Prishtina me më së shumti parkingje të pafiskalizuara

Buxheti i Kosovës humb qindra mijëra euro në vit nga mungesa e fiskalizimit të parkingjeve në Kosovë. Më së shumti parkingje të pa fiskalizuara ka në Prishtinë. Administrata Tatimore paralajmëron masa ndaj gjithë atyre që dëmtojnë buxhetin e shtetit.

Rreth 200 parkingje janë të regjistruara si biznese në Kosovë, por shumë prej tyre janë të pa fiskalizuara. Qytetarët tregojnë se nuk kanë rastisur asnjëherë që në parkingjet private të Prishtinës të pajisen me kuponë fiskalë. E sipas tyre, edhe çmimet e parkingjeve janë të larta, ndërkohë që mungon siguria.

“Jo, asnjëherë, një letër të thjesht ta jep, a kupon fiskal asnjëherë në parkingje të Prishtinës nuk kam pa. Siguri nuk ka fare, ta merr çelësin ta lëvizë veturën , mbingarkesë. Edhe lëshojnë edhe nuk lëshojnë kuponë fiskalë. Disa janë të shtrenjta e disa çmime të parkingjeve janë të arsyeshme”tha një qytetar.

Pavarësisht që Ligji për Administratën Tatimore të Kosovës përcakton që çdo biznes duhet të jetë i pajisur me arkë fiskale dhe të lëshohen kuponë fiskalë, kjo nuk po ndodh me parkingjet. Valentina Bytyqi, zëdhënëse për informim në ATK, tha për Radio Kosovën se ATK-ja është në dijeni që parkingjet nuk janë të fiskalizuara, dhe se vetëm në 6 mujorin e parë të këtij viti janë gjobitur 98 parkingje.

“Inspektorët tanë ka inspektuar disa biznese të kësaj veprimtarie dhe kanë gjobitur rreth 98 biznese, të cilat nuk kanë lëshuar kuponë fiskalë”tha Bytyqi

Sipas Bytyqit, edhe qytetarët duhet të vetëdijesohen dhe t’i kërkojnë kuponët fiskalë.

“Ndoshta edhe insistimi më i madh i qytetarëve për të kërkuar kuponë fiskalë do të ndryshonte konceptin e bizneseve”ka thënë Bytyqi

Administrata Tatimore e Kosovës do të ndërmarrë masa ndaj të gjitha atyre bizneseve që nuk lëshojnë kuponë fiskalë, përfshirë edhe parkingjet, tha Valentina Bytyqi. Pasi, sipas saj, ATK nuk do të lejojë asnjë biznes të dëmtojë arkën e shtetit.

Temat: