08:51 / E Premte, 23 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Pritet trazira në Botëror, ultrasit rusë dhe argjentinas krijojnë aleancë kundër anglezëve

Një delegacion i ultrasve vizitoi kryeqytetin argjentinas Buenos Aires më 31 janar, për të takuar grupe të ndryshme të “barras bravas” dhe krijuar një aleancë për Botërorin e ardhshëm rus.

Nga grupi prej 10 tifozësh radikalë rusë, 7 i përkisnin Zenitit të Shën Pjetërburgut dhe 3 Dinamos së Moskës. Qëllimi i tyre ishte që të krijonin aleancë me homologët e tyre argjentinas dhe së bashku të vendosin nën shënjestrën e sulmeve huliganët anglezë gjatë Botërorit të verës së ardhshme.

Skenat e dhunës së tifozëve rusë ndaj atyre anglezë gjatë Europianit të fundit në Francë në rrugët e Marsejës dhe stadiume janë ende kujtime të freskëta për ultrasit rusë, të cilët do të kërkojnë hakmarrje në turneun që do të luhet në shtëpinë e tyre.

Në takimin e parë, rusët u takuan me Rafael Di Zeon, i cili është lideri i grupit “La 12”, ultrasve të Boka Juniorsit. Në turin e tyre për të krijuar aleanca, rusët u takuan edhe me ultrasit e San Lorencos, Velezit dhe Nueva Çikagos.

Gjatë këtyre takimeve, rusët ranë dakord që t’u sigurojnë kolegëve të tyre argjentinas strehimin, transportin dhe mbrojtjen ligjore, në rast se ata do të kenë nevojë.

Qëllimi i tyre është ndërtimi i një plani strategjik për t’u përplasur me rivalët anglezë. Kombëtarja e Anglisë do të qëndrojë në Shën Pjetërburg gjatë turneut, ndërsa ajo argjentinase në Moskë, ku ultrasit amerikanojugorë do të kenë edhe mbështetjen e kolegëve të tyre të Dinamos.

Anglia, Argjentina dhe Rusia nuk ndodhen në të njëjtin grup, por ka një pikë ku ata mund të takohen gjatë fazës së grupeve, qyteti Novogorov, ku Argjentina do të përballet me Kroacinë më 21 qershor, ndërsa Anglia do të luajë aty 3 ditë më vonë kundër Panamasë.