13:29 / E Hënë, 28 Maj 2018

Prizreni ndan 35 mijë euro për strehimore të qenve

Komuna e Prizrenit pritet të ndërtojë në strehimore për qentë endacakë pas fillimit të projektit për menaxhimin e tyre.

Mytaher Haskuka, Kryetar i Prizrenit përmes një postimi në Facebook tregoi se si po shkon fillimi i projektit për Prizrenin.

“Për këtë projekt do të kujdesen gjashtë kompani të ndryshme për rajonin e Prizrenit dhe komunat përreth, buxheti i të cilit është 67,500.00 € dhe parasheh zënien e qenve, mjekimin, kastrimin, sterilizimin dhe në raste të veçanta edhe ofrimin e shërbimeve të tjera shtesë, në përputhje me ligjin për përkujdesjen e kafshëve”, shkroi Haskuka.

Ai po ashtu tregoi se po shikohet për të gjetur një lokacion të përshtatshëm për strehimore.

“Pasi që këto shërbime do të financohen nga niveli qendror, Komuna do të kujdeset për ndërtimin e një strehimoreje, për të cilën tashmë ka filluar të shikohet një vend i përshtatshëm. Për këtë, Komuna aktualisht ka ndarë 35,000.00 € nga vija buxhetore e Drejtorisë së Bujqësisë”, përfundoi ai.

Haskuka përmendi se shumica e ankesave të qytetarëve të Prizrenit kishin të bënin me qentë endacakë.

Me iniciativën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ka filluar projekti për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë, i cili përfshin gjithë territorin e Kosovës dhe do të zgjas gjatë gjithë vitit.

Temat: