09:02 / E Diele, 15 Tetor 2017 / indeksADMonline

Prokurori ndalon për 48 orë sulmuesin e Vehbi Kajtazit

Fitim Thaqi është ndalur për 48 orë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Ndalimin e tij e ka kërkuar Prokurori që po merret me zbardhjen e sulmit ndaj gazetarit të Insajderit. Avokati i Thaqit ka thënë për Express se sulmi ndaj Kajtazit kishte ndodhur pasi ky i fundit i kishte këqyrë keq klientin e tij.

Avokati Gazmend Halilaj, është shprehur se klienti i tij, e ka pranuar fajësinë dhe thotë se nuk e ka njohur Kajtazin e as nuk ka pasur ndonjë konflikt më të.

“Prokurori i përgjithshëm 48 orë, i ka caktuar masën e ndalimit, ai pritet që nesër të dal para gjykatës. Po besoj që prokurori, nuk do të propozojë për vazhdimin e masës së ndalimit”, i ka thënë avokati, Gazmend Halilaj, të shtunën Expressit.

Halilaj, tutje tregon se si rrodhi e gjithë ngjarja ditën kur klienti i tij e sulmoi fizikisht gazetarin, Vehbi Kajtazin. Thotë se Fitimi ka qenë ulur me disa persona për të cilët Kajtazi kishte disa mosmarrëveshje gjyqësore.

“Ky fillimisht ka qenë ulë, me disa persona të tjerë me të cilët Vehbiu, ka disa mosmarrëveshje gjyqësore dhe nuk është pritë mirë nga ata që ky ka qenë me ta, dhe u qu ka dalë me një tavolinë tjetër, mirëpo, personat e dëmtuar tashmë, kanë konsiderua se ky po din diçka dhe e kanë shikuar jo mirë, pastaj rastësisht ka eskalua situata, mirëpo pa e ditë ky për problemet e tyre në mes vete. Fitimi ka qenë në tavolinë me Faton Ramadanin, mirëpo ky nuk i ka ditë problemet që ata i kanë në mes vete”, ka deklaruar avokati.

Ai është shprehur se klienti i tij, nuk e ka ditur se e ka sulmuar fizikisht gazetarin Vehbi Kajtazi.

“Fitimi është penduar për gjithçka, realisht e ka zënë taksirati ata i kanë pas disa mosmarrëveshje. Ai më vonë e ka marrë vesh që ai person është Vehbi Kajtazi”, ka thënë pala mbrojtëse e Fitmit Thqit.

Ndryshe, gazetari Vehbi Kajtazi është sulmuar të premten teksa ishte në një restorant në kryeqytet. Ndërsa, të shtunën, komuniteti i gazetarëve protestoi kundër sulmit fizik ndaj kolegut të tyre.

Vetë i sulmuari tha se njerëzit që po sulmojnë gazetarët janë të lidhur me politik.