23:00 / E Hënë, 21 Maj 2018 / indeksADMonline

Pronarët e lokaleve ankohen se nuk janë kyçur në sistemin e ri të kanalizimeve (Foto)

Problemet me gypat e vjetër të kanalizimeve në Prishtinë vazhdojnë të jenë ende të pranishme.

Megjithëse ato kanë filluar që në shumë vende të ndërrohen, ka ende pronarë të lokaleve e të pronave private që po përballen me probleme të bllokimeve të gypave.

Fatmir Popova, pronari i njërit prej lokaleve në rrugën “Fehmi Agani” te “Kafet e Vogla” është ankuar se ka probleme të shumta në lokalin e tij për shkak të kësaj.

Megjithëse në këtë rrugë po bëhen pothuajse dy muaj që kur kanë filluar punimet për ndërrimin e gypave të kanalizimit fekale dhe atmosferike kjo gjë nuk do e shpëtojë atë dhe të tjerët nga problemet e shumta me kanalizim.

Kjo, pasi që, sipas Popovës në këtë rrjet të ri janë kyçur vetëm lokalet e pjesës së sipërme të kësaj rruge, por jo edhe ana e kundërt, që janë në radhën e Ambasadës së Kroacisë.

Ai për Indeksonline ka thënë se për këtë kanë kërkuar sqarim në vendin e ngjarjes nga vet drejtorët komunal dhe udhëheqësit e projektit, mirëpo përgjigja e tyre ka qenë se ky projekt është vetëm për pjesën e lartë.

“Punimet janë duke u bërë në këtë rrugë që sa ditë, mirëpo në këtë sistem të ri të kanalizimit nuk po mundemi të kyçemi edhe ne, lokalet e kësaj pjese të poshtme. Ne jemi në këtë rrugë, edhe duhet të na gjendet problemi se jetojmë në këtë komunë dhe i paguajmë për këtë taksat. Ne po kemi probleme të mëdha për shkak se gypat janë të vjetër F200, ndërsa të rinjtë që po vendosen janë f500, dhe ato mund të kryejnë punë për krejt Prishtinën”, ka thënë Popova.

Ai ka treguar për problemet e shumta që po kanë për shkak të sistemit të vjetër të kanalizimeve.

“Dëmet janë të tmerrshme. Vetëm një letër të shkoj në ato kanale po bllokohet i tërë sistemi dhe podrumi jonë mbushet me ujë. Dëmet janë të mëdha që po na shkaktohen. I thërrasim komunën, ata thonë se nuk janë përgjegjës, por është Batllava. Kështu ne po detyrohemi të paguajmë vet me paratë tona Batllavën për të zhbllokuar këto gypa. Për këtë ne po kërkojmë të futemi në sistemin e ri. Mirëpo, një gjë e tillë nuk po ndodh”, ka shtuar ai.

Në linjë me Popovën janë edhe pronarët e lokaleve tjera që gjenden në rrugën “Fehmi Agani”.

Ata shpresojnë që pasi punimet ende janë duke vazhduar të ndërrohet projekti dhe të futen në sistem edhe pjesa tjetër e lokaleve në këtë rrugë.

Ndryshe, Indeksonline ka tentuar të marr përgjigje nga Komuna e Prishtinës, nëse do të kyçen të dy anët në këtë sistem të ri të rrjetit të kanalizimit apo se kur do të ndodh një gjë e tillë, mirëpo zyrtarët kompetent nuk kanë kthyer asnjë përgjigje./Indeksonline/