20:01 / E Shtunë, 11 Gusht 2018 / indeksADMonline

PSD angazhohet për hapjen e kanalit televiziv për diasporën

Partia Socialdemokrate ka pritur në takim përfaqësuesit e Këshillit Nismëtar për hapjen e kanalit televiziv të diasporës.

Sekretarja e Përgjithshme dhe Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, bashkë me deputeten Shqipe Pantina, takuan kryetarin e këtij këshilli, Ragip Rama, nënkryetarin e Lidhjes Shqiptare në botë, Sebastian Nuiqi, dhe Arjan Melanoshi, me ç’rast i përgëzuan për këtë iniciativë dhe ofruan mbështetjen e PSD-së.

“Duke theksuar rëndësinë e këtij kanali të veçantë në kuadër të transmetuesit publik, Dërguti e Pantina u zotuan se PSD do të angazhohet në Kuvendin e Kosovës që ky kanal të ketë mbështetje financiare nga shteti, që rrjedhimisht të sigurohet edhe pavarësia editoriale. Përveç kësaj, në këtë takim u bisedua edhe për probleme të tjera me të cilat ballafaqohen mërgimtarët tanë”, thuhet në njoftimin e PSD-së të publikuar në faqen e tyre në Facebook.

Hapja e këtij kanali ishte premtuar po ashtu nga Ministri për Diasporën, Dardan Gashi.

Temat: