17:39 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

PSD: Izolimi i qytetarëve të Kosovës duhet të merr fund

Partia Socialdemokrate ka mirëpritur  votimin e sotëm të Parlamentit Evropian për rekomandimin e Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme; për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas një komunikate të PSD-së, ky miratim i cili e konfirmon mandatin për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian është i rëndësishëm për lirinë e lëvizjes të qytetarëve të Republikës.

“Duke i falenderuar eurodeputetët për mbështetjen, Partia Socialdemokrate fton institucionet përgjegjëse të Kosovës, të ndërmarrin veprime konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në marrjen e vendimit përfundimtar nga institucionet e tjera vendimmarrëse të Bashkimit Evropian.

Izolimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës duhet të merr fund. Ai është mbi gjithash pasojë e politikanëve të korruptuar dhe të kriminalizuar në Kosovë. Çmimin nuk duhet ta paguajnë tutje qytetarët e Republikës”, thuhet në kumtesë të PSD-së./Indeksonline/