13:38 / E Enjte, 02 Gusht 2018 / indeksADMonline

PSD kërkon që Kuvendi ta ndërpresë pushimin për ta votuar rezolutën për dialogun

Drejtuesit e Partisë Sociale Demokrate kanë kërkuar sot që Kuvendi t`i rikthehet punës dhe të vendosë për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, pasi që sipas tyre mënyra se si është duke u zhvilluar aktualisht ky dialog do të ketë pasoja edhe për dekadat e ardhshme për shtetin e Kosovës.

Kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti tha se Kosova është Republikë Parlamentare dhe se çështja e dialogut duhet urgjentisht të vendoset në Kuvend. Ahmeti tha se në fillim të shtatorit është caktuar edhe një takim mes presidentëve dhe ju bëjnë ftesë ta ndërpresim pushimin menjëherë Kuvendi dhe të kthehen deputetët.

“Po dihet që kuvendi e ka caktu përfundimin e sesionit pranveror. Debati i thirrur nga PSD për dialogun përfundoi pa kalim të rezolutës. Ne sot do t`i përmendim disa gjëra që janë të rëndësishme. Kanë ndodh dy takime mes dy presidentëve le që nuk ka pas leje, por as raportim se çfarë kanë diskutu. Republika e Kosovës është Republikë Parlamentare. Nuk qëndrojnë as ato që thuhen se në njërën anë është Vuçiç e duhet të jetë edhe Thaçi. Ne kemi një rezolute në fuqi, ajo ka kalu në tetor 2012 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi. Pika 4 thotë se Kuvendi e autorizon Qeverinë të udhëheq këtë proces”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij PSD-ja kërkon që Qeveria ta merr rolin udhëheqës, pasi që edhe rezoluta e obligon.

“Këtë autorizim nuk mund ta heqin edhe nëse kryeministri shprehë dëshirë që të shkoj ose jo. Kuvendi duhet të nxjerr rezolutë të re për ta mandatu ekipin dhe platformën për të shku në bisedime. Nuk mendojmë që duhet me qenë në pushim në këtë fazë”, ka deklaruar kryetari i PAD-së Shpend Ahmeti.

Visar Ymeri nga PSD, tha se takimet e presidentit Thaçi me atë të Serbisë Vuçiç janë private, pasi që për një dialog të tillë Thaçi nuk ka mandat.

“Meqë e kemi këtë rezolutë në fuqi që po shkelet nga kryeministri që nuk e zbaton dhe presidenti që po e përvetëson, këtu e kemi një situatë të rrezikshme demokratike. Nuk e kanë as të drejtën as mandatin për një shpërfillje të tillë. Presidenti Thaçi kur flet me presidentin e Serbisë flet në emër të vetin, sepse Kuvendi nuk ia ka dhënë një të drejtë të tillë. Rezoluta jonë që ka nis të enjten ka për qëllim që procesit t`i jap legjitimitet. Kuvendi vendos për agjendën dhe kohë-nisjen e bisedimeve me Serbinë dhe kërkesat, platformë dhe të dihet për çfarë nisë dialog”, tha Ymeri.

Ai tha se është re rëndësishme që Kuvendi ta përcjell procesin e dialogut në çdo fazë të tij.

“Po të votohej të hënën rezoluta do të ishim në një situatë tjetër. Nëse ne vazhdojmë me pushime të Kuvendit në këtë kohë kur është intensifikuar çështja e dialogut edhe Kuvendi edhe Republika e Kosovës mund të jetë para një akti të kryer”, deklaroi Ymeri.

Ai ka ftuar partitë parlamentare, veçanërisht opozitën që vendimmarrjen t`ia kthejnë Kuvendit.

“I ftoj partitë që janë në Kuvend veçanërisht opozitën të vendosin që kuvendit t`ia  mundësojnë vendimmarrjen dhe mbikëqyrjen e këtij procesi. Është e domosdoshme që Kuvendi ta ndërpres pushimin dhe ta votojmë rezolutën. Është e domosdoshme që Kuvendi ta ndërpres pushimin dhe ta votojmë rezolutën”, ka thënë Visar Ymeri nga PSD.