14:39 / E Mërkurë, 13 Qershor 2018

PSD të hënën mban tryezën e radhës me partitë politike, përjashton këtë parti

Partia Socialdemokrate (PSD) të hënën do të mbajë tryezën e radhës me partitë politike me temë “Dialogu me Serbinë: Fuqizimi i Republikës Parlamentare”, ndërsa lidhur me këtë u ka dërguar ftesën të gjithave partive parlamentare, me përjashtim të Listës serbe.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Partisë Social Demokrate (PSD), Shkodran Hoti.

Sipas Hotit, kjo është bërë për arsye të qëndrimeve të Listës Serbe karshi Kosovës dhe koordinimit të vazhdueshëm me qeverinë e Beogradit.

“Ftesat për tryezën janë dërguar dje dhe do të mbahet ditën e hënë në orën 11:00, në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Ua kemi dërguar ftesat të gjitha partive politike me përjashtim të Listës Serbe, për arsye të qëndrimeve të saj në lidhje me Kosovën dhe koordinimit të vazhdueshëm me qeverinë e Beogradit”, ka thënë Hoti.

Hoti po ashtu tregoi se tema e cila do të diskutohet në këtë tryezë është ende aktuale dhe ka vite që diskutohet.

“Tema do të jetë ‘Dialogu me Serbinë: Fuqizimi i Republikës Parlamentare’. Është një çështje aktuale e cila e  ka përcjell vendin tonë tash e sa vjet dhe për të cilën ka se çfarë të diskutohet dhe mendoj që është shumë i rëndësishëm”, sqaroi ai.

Ndërkaq, deri tani tryeza të tilla ka organizuar LDK, PDK e Vetëvendosje.

Ndryshe, tryeza të tilla janë organizuar me qëllimin që të arrihen konsensusi nacional për tema të mëdha siç janë: dialogun me Serbinë, transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës si dhe Asociacionit të komunave serbe.  Por analistët dhe shoqëria civile këto tryeza  i kanë vlerësuar pa efekt edhe blerje kohe e jo shumë produktive që do të jenë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Temat: