15:33 / E Hënë, 17 Shtator 2018 / indeksADMonline

Publikimi i listave të veteranëve, reagon komisioni për të Drejtat e Njeriut

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Zhdukur dhe Peticione, në mbledhjen e mbajtur sot, ka reaguar lidhur me publikimin e listave të veteranëve të dyshuar si veteranë mashtrues.

Në këtë komunikatë, nënshkruar nga kryetarja e Komisionit, Duda Balje thuhet: “Me rastin e publikimit të listave të veteranëve të dyshuar si veteranë mashtrues, janë shkelur të drejtat e njeriut, të drejtat e privatësisë,  si dhe është cenuar prezumimi i pafajësisë duke u bërë gjykim publik përmes mediave ndaj veteranëve. Andaj, duke e parë se procesi është akoma në fillim të shqyrtimit nga organet e drejtësisë, reagojmë me shqetësim të thellë para opinionit publik.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Zhdukur dhe Peticione, bazuar në fushëveprimin e vet, kërkon nga institucionet kompetente shtetërore që të gjejnë personat përgjegjës të publikimit të këtyre listave dhe ndaj tyre të merren masa në përputhje me legjislacionin në fuqi”./Indeksonline/