11:50 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

Punëtorët e Postës kërkojnë pagat nga Qeveria

Punëtorët e Postës sot kanë mbajtur një protestë para Qeverisë së Kosovës. Me parullat “Qeveri, posta duhet të shpërndajë dërgesat”, “Respekto ligjet tua”, “Duam shërbime që i ka secila postë shtetërore”, ata kërkuan rimbursimin e pagesave postare nga Qeveria.

Etrit Hoti, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Postës, tha se ata ende nuk i kanë marrë pagat e gushtit.

Këtë, ai e cilësoi si papërgjegjshmëri të institucioneve. Ai tha se qeveria duhet t’i përmbushë detyrimet ligjore. Ai tha se posta duhet ta krijojë skemat pensionale dhe shërbimin PostBank.

Kryetari i BSPK-së, Avni Hajdini tha se kjo protestë iu është imponuar nga qeveria. Ai tha se sot po apelojnë te qeveria që t’ua japë pagat dhe t’i realizojë kërkesat e punëtorëve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se kjo sindikatë e përkrahë protestën dhe bëri lutje nga qeveria që t’i përmbushë kërkesat e punëtorëve, para se këto protesta të bëhen masovike.

Pas protestës përfaqësues të punëtorëve janë ftuar brenda në ndërtesën e Qeverisë për një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj.