23:37 / E Martë, 13 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Punëtorët keqpërdorën kartelat për hyrje-dalje në QKUK, ky është plani i ri

Sistemi i pajisjes me kartela për hyrje-dalje nga oborri i QKUK-së, nuk ka funksionuar me stafin e punëtorëve. Kjo për shkak të keqpërdorimeve të shumta që janë bërë me kartelat.

Menaxheri i Kontratës dhe Zyrtari i IT-së në QKUK, Faton Hajzeraj ka thënë për “Indeksonline” se kanë përcjellë funksionimin e kartelave, nga ku kanë kuptuar se kartelat u janë dhënë për shfrytëzim edhe njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me QKU-në.

Bazuar në këtë, Hajzeraj ka deklaruar se do ta ndalin përdorimin e kartelave në këtë mënyrë.

“Do t`ua ndalim kartelat edhe stafit të QKUK-së për shkak të keqpërdorimeve. Të pajisur me kartela janë gati krejt, vetëm ata që kanë qenë në pushim ose diçka sepse shumica kanë kartela të parkingut. E kemi vërejt që janë keqpërdorë shumë. Ne si komision patëm vendosë që secilit prej stafit, pavarësisht a vozitë apo jo, por që është rezident i QKUK-së patëm vendosë me ia jep kartelat. Me monitorim tonin, i kanë shit e i kanë jep për shfrytëzim ato kartela edhe njerëzve që nuk kanë të bëjnë me QKUK-në. Kemi vendosë kështu që t`i ndalim kartelat”, është shprehur ai.

Hajzeraj ka sqaruar idenë e cila pritet të jetësohet posa të bëhet kompletimi i të dhënave të punëtorëve.

Sipas këtij plani, kartelat do t`iu lihen në shfrytëzim personave që vozisin, kurse për ata që nuk vozisin nuk do të ketë fare kartela. Për të funksionuar pa keqpërdorime, nevojitet që stafi i punëtorëve të dorëzojnë disa dokumente.

“Jemi duke e bë kompletimin e të dhënave. Kemi kërkuar prej secilit punëtor lejen e qarkullimit nëse veturën e ka në emrin e vet. Por, nëse jo, atëherë duhet ta marrë një autorizim dhe një kopje të patent shoferit. Punëtorët që nuk vozitin vet, nuk iu takon kartela. Nëse dikush nga ana shëndetësore është keq dhe i duhet patjetër me e sjellë dikush në punë, atij i lejohet. Ata duhet ta kenë një raport të mjekut që e lëshon Komisioni për Shëndetësi te ne, nëse dikush kërkon pushim mjekësor”, ka deklaruar Hajrezaj për “Indeksonline”.

Ai ka shtuar nuk dihen akoma të gjitha detajet, porse ky plan është bërë në mënyrë që të ndalen keqpërdorimet./Indeksonline/