15:42 / E Shtunë, 14 Korrik 2018 / indeksADMonline

Punimet drejt përfundimit, ura mbi “Ibër” hapet shumë shpejt

Muaji prill ishte paralajmëruar të jetë koha kur ura mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë do të inaugurohej, por një gjë e tillë nuk u bë sepse Komuna Veriore kishte ndërprerë punimet aty për interesa të saj.

Një afat tjetër e kishin përmendur autoritetet lokale, sipas së cilave, ura do të lëshohej për qarkullim në qershor, por që as atëherë nuk ndodhi, shkruan Indeksonline.

Bashkimi Evropian që financoi me 1.2 milion euro këtë projekt të planifikuar të përfundonte në qershor të 2016-tës, thotë se punimet do të përfundojnë shpejt.
“Punimet në urë dhe rreth saj tani po hyjnë në fazën përfundimtare. BE beson se këto do të përfundohen së shpejti”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së për Indeksonline.

Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka thënë ditë më parë se ura duhet të hapet dhe se askush nuk ka të drejtë ta bllokojë atë.

“Deshëm ose nuk deshëm ne, ura do të jetë e lirë. Do të kishte qenë më mirë që kjo të bëhet në mënyrë paqësore dhe kjo të kryhet në mënyrë normale. Në të kundërtën, janë ligjet e Republikës së Kosovës, është Policia e Kosovës, që nuk mund ta ndalojë askush që ta lirojë, për arsye se është e drejtë e të gjithë qytetarëve. Nuk mundet asnjë politikë e ngurtë, e cunguar, dashakeqe që ta ndërpresë bashkimin e qytetarëve dhe kush është për t’i ndarë qytetarët nuk do të ketë vend këtu”, kishte theksuar Bahtiri.

Kujtojmë se aktualisht, ura kryesore mbi lumin Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë.

Që nga viti 1999 ura kryesore mbi lumin Ibër ishte bllokuar në anën veriore të saj, duke u shndërruar kështu në simbol të ndarjes dhe jo bashkimit të qytetit të Mitrovicës.
Në vitin 2014, pas heqjes së barrikadës mbi këtë urë, autoritetet lokale të komunës Veriore, në urë patën ndërtuar të ashtuquajturin “Parku i paqes”. E gjithë kjo çështje ishte shndërruar në temë të bisedimeve në dialogun e Brukselit dhe në vitin 2015 ishte arritur marrëveshja për heqjen e “Parkut të paqes” dhe për rinovimin e urës, gjegjësisht për funksionalizimin e saj për qarkullim.
Tani, konstruksioni i ri, përbën një ndërtim betoni prej 53 metra të gjatë, kurse lartësia do të jetë nga 40 deri në 70 centimetra. /Indeksonline/