13:10 / E Premte, 27 Prill 2018 / indeksADMonline

Qaushi: Pushtetarët po e përsërisin gënjeshtrën për të pagjeturit

Debati për të pagjeturit po vazhdon në Kuvendi e Kosovës, ku në emër të Grupit të Pavarur të Deputetëve, Driton Qaushi, akuzoi pushtetarët se po përsërisin gënjeshtrën e përvitshme se të pagjeturit janë prioritet i tyre.

“Sot është shumë më lehtë të flasësh për këtë temë për faktin se përballë nesh nuk janë familjarët, nënat, prindërit, fëmijët e të pagjeturve dhe për faktin se nuk jemi pjesë e një talljeje tradicionale institucionale në cirkun që quhet homazhe e ku nga pushtetarët përsëritet çdo vit gënjeshtra se të pagjeturit janë prioritet ynë, se ata do të jenë prioritet në dialogun e Brukselit, e se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë”, theksoi Qaushi.

Qaushi shtoi se familjarët e të pagjeturve kanë një dëshirë të vetme, të mos vdesin pa i gjetur me të dashurit të tyre.

Ai ka përmendur edhe të pagjeturit që janë nga komunitetet jo shqiptare, sepse sipas tij, të zhdukurit nuk duhet të ndahen.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, theksoi se plagët nga lufta janë ende të hapura, duke qenë se ende vazhdojnë të mbesin qytetarë të Kosovës të pagjetur.

“Debati i sotëm sa është emocional po aq edhe obligativ për ne. Personat e pagjetur nga lufta janë dhe mbeten barra dhe kujtesa jonë e përgjithshme. Ende kemi fëmijë, gra e burra të pagjetur, plagët janë ende të hapura. Lufta e la Kosovën me mbi 6 mijë persona të zhdukur. Deri tani mbi 4 mijë persona janë identifikuar, ndërsa edhe 19 vjet pas luftës vazhdojnë të jenë mbi 1600 persona të zhdukur”, tha Reçica.

Temat: