15:55 / E Diele, 02 Shtator 2018 / indeksADMonline

Qeriqi: Numrin real të veteranëve e ka treguar gjenerali, Sylejman Selimi

Pas çështjes së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, pa dyshim se tema më e përfolur në vend është ajo e veteranëve të UÇK-së. Para disa ditëve, deklarata e Ambasadorit në largim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte më shumë se 15 mijë veteranë, ka ngjallur interesim tek shumë persona njohës të rrethanave të luftës.

Statistikat zyrtare të Uashigtonit, sipas Delawies, personat kompetent për mbrojtjen e veteranëve po vlerësojnë se duhet të shërbejë si dëshmi shtesë për institucionet e drejtësisë.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se deklarata e ambasadorit iu shërben organeve hetuese më intensivisht në hetimin e listave të veteranëve. Sipas tij, prej tyre disa janë duke e gëzuar pensionin e veteranit pa asnjë meritë.

“Nëse nuk gaboj në kohën e demobilizimit të UÇK-së, listat e luftëtarëve të UÇK-së ju kanë dorëzuar përfaqësuesve të NATO-së dhe me siguri ambasadori është bazuar në ato lista të cilat kanë qenë të sakta se janë përpiluar menjëherë pas përfundimit të luftës”, ka thënë Qeriqi.

Më tej, sa i përket numrit të vërtetë të luftëtarëve të UÇK-së, Qeriqi thotë se këtë më së miri e ka dhënë Komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi.

“Është një deklaratë shumë reale dhe që i besoj plotësisht. Sa i përket numrit të vërtet të luftëtarëve të UÇK-së, më së miri e ka thënë edhe Komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së z.Sylejman Selimi, i cili e ka treguar të vërtetën se sa ka qenë numri i real i veteranëve, ku është një shifër e përafërt me atë çfarë e tha edhe z.Delawie”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë, se gjenerali, Sylejman Selimi kishte deklaruar se pas lufte ishin identifikuar rreth 13 mijë ushtarë të UÇK‘së.

Ndërkohë, ambasadori Delawie i bëri thirrje politikanëve kosovarë të heqin dorë dhe mos të përzihen nga hetimet për drejtësi, sidomos kur është puna për korrupsion./Indeksonline/