15:53 / E Hënë, 14 Maj 2018 / indeksADMonline

Qeveria Haradinaj në kontakt me Malin e Zi për rishikimin e demarkacionit

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi muaj më parë, arriti të ratifikohej pas një aneks-marrëveshje të përbashkët të nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai malazez, Filip Vujanoviq.

Sipas kësaj marrëveshje, të arritur tre muaj më parë, dy presidentët ishin dakorduar që pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion, të rishikohen kufijtë dhe të mund të korrigjohet dhe korrektohen sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit.

Tash, kur janë bërë pothuajse dy muaj pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, Qeveria e Kosovës është në kontakte të drejtpërdrejt dhe po bisedon me Qeverinë e Malit të Zi për rishikimin e kësaj vije kufitare, ashtu edhe siç është arritur marrëveshja më parë.

Në një prononcim për Indeksonline, Zyra për Komunikim me Publikun e Qeverisë së Kosovës, ka theksuar se kryeministri, Ramush Haradinaj është në kontakte të rregullta me lidershipin e Malit të Zi, dhe se ata janë duke diskutuar modelet e rishikimit dhe korrigjimit të vijës kufitare.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është në kontakte të rregullta me lidershipin e Republikës së Malit të Zi dhe po i diskuton modelet e rishikimit dhe korrigjimit të vijës kufitare në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tej, në përgjigje thuhet se kjo çështje do të jetë temë diskutimi edhe në Samitin e Sofjes, aty ku kryeministri Haradinaj do ketë rast të takohet drejtpërdrejt me homologun e tij malazez, Dushko Markoviq.

Ndryshe, duhet cekur se arritja e kësaj aneks marrëveshje bëri që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate të votonin pro ratifikimit të Demarkacionit./Indeksonline/