16:06 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Qeveria i përgjigjet Vetëvendosjes: Shpronësimet ishin konform ligjit

Polemikat e ngritura lidhur me çështjen e shpronësimit në Hade dhe Shipitullë, e së fundi edhe akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje në drejtim të Qeverisë Haradinaj, kanë bërë që kjo e fundit të reagojë.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, përmes telefonit për KosovaPress, ka mohuar të jenë bërë shpronësime të paligjshme ose të kenë përfituar uzurpues apo persona politikë, duke thënë se gjithçka ka shkuar sipas ligjeve.

“Çështja e shpronësimit është bërë konform ligjeve në fuqi, dhe vendimi i Qeverisë e ka debllokuar prodhimin e energjisë në vend dhe i ka hapur rrugë pavarësimit të plotë të Kosovës në aspektin energjetik”, tha ai.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media ka ngritur një sërë pyetjesh për kryeministrin Ramush Haradinaj, ku ka kërkuar nga ky i fundit që të bëjë publikimin e listave të të shpronësuarve si dhe titujt e pronësisë.

Vetëvendosje ka akuzuar qeverinë se në mungesë të hapave konkretë lidhur me këtë çështje, po i hap rrugë “mafisë së energjetikës”.