11:06 / E Martë, 20 Mars 2018

Qeveria me program për familjet e personave të zhdukur

Çështja e të pagjeturve që nga lufta e fundit, padyshim që është një plagë e hapur për shoqërinë kosovare. Përderisa koha kalon gjurmët zhduken dhe dëshmitarët janë të rrallë. Aq më tepër kur Serbia neglizhon krimet e fundshekullit, duke mos dashur të hap një kapitull të ri në Ballkan.
Kjo çështje dhe shumë të tjera kanë mbetur peng nga e kaluara jo e largët dhe kështu në mungesë bashkëpunimi nga institucionet serbe bëhet e pamundur të zbardhet fati i viktimave të cilat ranë pre e regjimit fashist të Millosheviçit.

Bazuar në kërkesat e prezantuar nga ana e familjarëve te institucionet kompetente vendore, si Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe organizatat ndërkombëtare, si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, kanë qenë të evidentuar si persona të zhdukur, si pasojë e luftës, 6057 persona. Aktualisht, janë edhe 1652 persona të zhdukur, si pasojë e luftës së viteve 1998 – ’99. Nga të cilët 1388 persona, janë të gjinisë mashkullore , ndërsa 264 persona të gjinisë femërore. Sa i përket moshës, janë 135 persona të zhdukur, nën-moshën 18vjecare, dhe 332 persona mbi-moshën 65 vjeçare, ndërsa moshës 19 – 64 vjeçare, janë 1185 persona të zhdukur.

Pra, janë edhe shumë familje kosovare që vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen, ankthin dhe pritjen për të mësuar për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. E drejta për të ditur, është e drejtë e garantuar me legjislacionin në fuqi, si dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare që trajtojnë çështjen e personave të zhdukur.

Ndaj kësaj çështje të ndjeshme, Qeveria vjen me një program duke përshpejtuar procesin për realizimin e të gjitha aktiviteteve të mundshme që familjet e personave të zhdukur, të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të të tyre të zhdukur, gjatë luftës.
Programi i Qeverisë, do të adresojë problemet dhe sfidat me të cilat përballen institucionet kompetente shtetërore dhe në përgjithësi akterët që janë të angazhuar në këtë proces, sfida këto që para se gjithash ndërlidhen me mungesën e informacioneve të besueshme dhe çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës, si dhe do të adresojë përpjekjet dhe angazhimet që familjet e personave të zhdukur të kenë një trajtim më të mirë ligjor dhe institucional dhe në këtë proces të kemi një koordinim më mirë institucional (në raport edhe me institucionet e organizatat ndërkombëtare).

Në vazhdën e angazhimeve zyrtare dhe përpjekjeve mbarë-institucionale që çështja e personave të zhdukur të trajtohet si çështje me prioritet të veçantë, gjatë kësaj periudhe kohore (nga muaji Shtator 2017) familjeve të personave të zhdukur iu janë dorëzuar për rivarrim mbetjet mortore të 48 personave, gjithnjë në respektim te të te të drejtave të familjeve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre, të zhdukur dhunshëm. Nga këto raste, përfshihen mbetjet mortore të 8 rasteve të reja të personave të zhdukur, të identifikuar, e që ishin në Listën e Personave të Zhdukur, ndërsa rastet tjera ndërlidhen me procesin e ribashkimit të pjesëve kockore. Janë edhe një numër i rasteve të mbetjeve mortore të identifikuara, kryesisht raste ribashkimi, si dhe disa raste të reja, për të cilat familjet janë njoftuar për identifikim dhe jemi në pritje të caktimit të datave të rivarrimit. Dorëzimi i mbetjeve mortore pas identifikimit, si aktivitet zyrtar realizohet nga Sektori për Komunikim me Familjar- në Institutin e Mjekësisë Ligjore, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe komunave përkatëse. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur me përkrahje të zyrave kompetente në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbulon edhe shpenzimet e rivarrimit.
Po ashtu, me iniciativë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe me përkrahjen e Mbajtësit të Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, në përgjigje të kërkesave të shoqatave familjare, në fund të vitit të kaluar, me vendim të Qeverisë, janë ndarë 30,000.00 (tridhjetë mijë) Euro, për përkrahje të familjeve, në projektin e tyre për ‘trajtim dhe rehabilitim në qendrat shëndetësore rehabilituese – banja’. Si dhe janë ndarë 3,500.00 (tremijë e pesëqind) Euro , për përkrahje të disa prej familjeve të personave të zhdukur , të rasteve specifike (dhe me gjendje më të rëndë ekonomike).

Gjithashtu në përgjigje të kërkesave të shoqatave familjare dhe në adresim të kërkesave të tyre, çështja e plotësim/ndryshimit të Ligjit për Persona të Zhdukur, është përfshirë në Agjendën e koncept dokumenteve për vitin 2018.
Ndërsa gjatë kësaj periudhe kohore, përmes mekanizmave kompetent institucional të Republikës së Kosovës, dhe në bashkëpunim me akterët tjerë vendor dhe ndërkombëtar, në këtë rast në bashkëpunim me ekspertët e EULEX-it, janë proceduar, në kuptimin e gërmimit vlerësues, dhjetë lokacione, nga të cilat pesë kanë rezultuar me gjetje apo zhvarrosjen e mbetjeve mortore te të paktën dhjetë personave. Edhe pse, vetëm pasi të përfundojnë procedurat e nevojshme mjekoligjore, përfshirë edhe identifikimin përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, mund të dihet numri i personave të zhvarrosur dhe identifikuar.

Krahas aktiviteteve brenda territorit të Republikës së Kosovës, institucionet kompetente kanë vazhduar aktivitetet zyrtare edhe në bashkëpunim me shtetet tjera në rajon që kanë kaluar nëpër të njëjtat tragjedi si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi, bashkëpunim ky që para se gjithash është një mundësi në adresim të sfidave të përbashkëta në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur. Nga 11 tetori 2017, edhe Republika e Kosovës, në zbatim të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA , është bashkëngjitur dhe do të jetë pjesë e nismës së Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur për hartimin e Listës Rajonale të Personave të Zhdukur. Në këtë rast, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka prezantuar edhe në takimin rajonal të mbajtur më 7 dhjetor 2017, në Beograd.
Shqetësuese mbetet mosgatishmëria e Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces. Gjatë kësaj periudhe kohore, nuk është proceduar asnjë lokacion në territorin e Serbisë, përkundër të dhënave dhe kërkesave të prezantuara nga Delegacioni i Kosovës /dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Kërkesa këto, të përsëritura edhe gjatë takimit të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, pra takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të mbajtur më 27 shkurt 2018, në Beograd, si dhe takimeve të Nëngrupit Punues për Mjekësi Ligjore dhe Ekipit për Analizë, të mbajtura më 22 dhe 23 shkurt 2018, në Prishtinë.

Dhe sigurisht, që institucionet e Kosovës, do të vazhdojnë angazhimin në koordinim me partnerët ndërkombëtar që të shtohet trysnia ndaj Beogradit zyrtar për të qenë më bashkëpunuese, në mënyrë të veçantë përmes hapjes së arkivave të ish-Ushtrisë Jugosllave, meqë tashmë është konfirmuar, edhe pse nuk ka pasur asnjëherë gjatë këtij procesi ndonjë dyshim, se në këto arkiva gjenden të dhëna që do të mund të kontribuonin në zgjidhjen e të gjitha rasteve të personave të zhdukur. Respektimi i të drejtave të familjeve të personave të zhdukur, nga mbarë Ballkani, mbi të gjitha të drejtës për të ditur fatin e më të dashurve të tyre dhe të drejtës për drejtësi duhet t’i vihen si kushtëzime të Serbisë edhe në proceset integruese. Meqë përvojat e deritanishme, në hapjen e katër lokacioneve të vendvarrezave masive në territorin e Serbisë, si në zonën ushtarake në Batajnicë, pastaj lokacioni në Petrovo Sello, lokacioni në afërsi të liqenit të Peruqacit , dhe lokacioni në Rashkë, ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të më shumë se 900 personave, viktima të luftës në Kosovë, konfirmojnë se Serbia vetëm me një presion të shtuar ndërkombëtar do të jetë bashkëpunuese në këtë proces.

Jahja Lluka Keshilltar i Kryeministrit

Temat: