17:10 / E Diele, 29 Prill 2018 / indeksADMonline

Qeveria nuk përgjigjet në lidhje me draft ligjin për FSK-në

Nuk dihet ende nëse do të procedohet nesër, ashtu siç ishte paralajmëruar, draft ligji për FSK-në për miratim në Qeveri.

Draft Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me të cilin po mendohet ti ndihmohet procesit të themelimit të ushtrisë së Kosovës, e që ishte paralajmëruar të dorëzohet për miratim në Qeveri të hënën më 30 prill të këtij viti, nuk dihet ende nëse është gati për t’u proceduar tutje apo jo.

Paralajmërimi për dërgimin në Qeveri të këtij draft ligji e kishte bërë dje  Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, përmes drejtorit për informim në këtë Ministri.

Kjo, pavarësisht kundërshtimeve nga Lista Serbe për idenë e ndryshimit të mandatit të FSK-në nga forca të sigurisë në mandat ushtarak. “MFSK-ja është duke kryer aktivitetet dhe obligimet e veta sipas planit legjislativ të Qeverisë. Aktualisht jemi në pritje të deklaratës financiare për koston buxhetore nga Ministria e Financave, si dhe pëlqimin nga Ministria e Integrimeve Evropiane në mënyrë që draft ligjet të jenë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së. Ne në përputhje me Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Planit Veprues të MFSK-së, deri më 30 prill do ta dërgojmë draft ligjin në Qeveri”, kishte deklaruar për media Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në MFSK.

Megjithatë sot, askush nga tre ministritë e përmendura nga Shala – MFSK, MF dhe MIE – nuk janë përgjigjur ndaj pyetjeve të KosovaPress nëse rekomandimet janë dhënë dhe nëse draft ligji do të dërgohet për miratim në Qeveri nesër apo jo. Kur ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha u kontaktua nga KosvaPress, ai tha që të kontaktohet pas gjysmë ore por edhe pas gjysmës së orës së kërkuar nga ministri, ai nuk është përgjigjur më në thirrjeve dhe mesazhave të redaksisë. Pyetjeve të redaksisë nuk i janë përgjigjur as zyrtarët e kontaktuar të Ministrisë së Financave dhe asaj të Integrimeve Evropiane.