19:20 / E Martë, 14 Gusht 2018 / indeksADMonline

Qeverisë i kërkohet të vendos reciprocitet me Serbinë

Autoritetet e Serbisë po vazhdojnë të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, duke shkelur kështu marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel në vitin 2011.

Nuk ka kaluar shumë kohë nga ndalesa që iu bë akademikut Hivzi Islami, ndërsa dje është ndaluar edhe stomatologu kosovar nga Gjermania, Ibrahim Matoshi.

Për këto ndalesa nga ana e Beogradit, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri për Indeksonline ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet që urgjentisht të marr masa, si vënien e reciprocitetit.

“Masa e parë është që të njoftojë Bashkimin Evropian si ndërmjetësuese dhe garantuese e marrëveshjeve. Dhe në qoftë se vonohet procesi dhe nëse zvarritën këto gjëra, atëherë detyrimisht duhet të vendos masa reciprociteti, pra ashtu siç Serbia i shkel marrëveshjet, edhe Kosova duhet t’i përgjigjet reciprocitetit”, është shprehur Tahiri.

Ajo tutje ka shtuar se qeveria aktuale nuk po i kushton rëndësi dialogut, ani pse është shumë i rëndësishëm.

“Kjo qeveri aktuale e Kosovës nuk është duke u marr me dialogun. Si duket kur kanë ardh nga opozita që kanë qenë kundër dialogut, tani më kanë ardh në Qeveri dhe nuk e kanë parë të rëndësishme. Por, Dialogu në Bruksel është shumë i rëndësishëm, jo vetëm pse ka sjell marrëveshje në baza të reciprocitetit si tregtia e lirë, lëvizja e lirë, por edhe ka mundësuar vendosjen e sovranitetit në veri të vendit në fusha relevante si drejtësi, dogana, e të tjera. Dhe kjo qeveri është dashur ashtu siç e ka mandatuar parlamenti është dashur të jetë proaktive e vëmendshme që mos me leju që Serbia të shfrytëzoj këtë kohë kur Qeveria jonë nuk po merret aq shumë me dialogun, të shkel marrëveshjet se e din që Qeveria vonohet me reagime”, ka shtuar ajo.

Ajo ka theksuar se reciprociteti është përgjigja ndaj Serbisë.

Ndryshe, edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka dënuar ndalesat që Serbia po ua bënë qytetarëve dhe zyrtarëve të Kosovës.

“Së këndejmi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ri-thekson se institucionet e Republikës së Kosovës, refuzojnë kategorikisht këtë sjellje dhe këtë impuls të Beogradit, dhe në vijë me praktikat e brendshme dhe ato ndërkombëtare, do të shqyrtojë të gjitha veprimet ligjore dhe institucionale kundrejt këtij mentaliteti dhe kësaj sjellje të papërgjegjshme të Beogradit”, thuhet në njoftimin e tyre./Indeksonline/