17:36 / E Hënë, 04 Qershor 2018 / indeksADMonline

QKUK pret të procedohet në Qeveri Ligji i Pagave

Ka kaluar afati i Ministrisë së Shëndetësisë e cila u kishte premtuar kirurgëve kosovarë që nga 1 qershori do të marrin pagat me rritje. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, andaj mjekët sot sërish i janë kthyer grevës, fillimisht njëditëshe.

Lidhur me këtë çështje, Indeksonline ka kontaktuar zëdhënësin e QKUK-së, Shpend Fazliun për të mësuar më shumë detaje rreth kësaj situate.

Fazliu ka treguar se  Ministria e Shëndetësisë së bashku me  Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKU) kanë pasuar përfaqësuesit në grupet punuese për tu informuar më shumë me Ligjin e Pagave.

“Presim që shpejtë në Qeveri të procedohet Ligji i  Pagave, i cili më pastaj  do të procedohet për votim në Kuvendin e Kosovës. Gjatë grevës një ditëshe të gjitha rastet urgjente janë kryer dhe nuk kanë pësuar asnjë pacient”, ka thënë Fazliu për Indeksonline.

Tutje, zyrtari për informim i QKUK-së ka shtuar se me këtë ligj presin të ketë paga më të mira për mjekët.

Kujtojmë, se mjekët përveç rritjes dhe kategorizimit të pagave, po kërkojnë po ashtu edhe rritjen e kujdestarive.

Greva e fundit e Klinikave dhe reparteve të kirurgjisë në QKUK dhe spitale rajonale u mbajt në janar të këtij viti.

Ndryshe, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ditë më parë gjatë  një vizite në Ministrinë e Shëndetësisë kishte thënë se ngritja e pagave do të ndodhë në vitin e ardhshëm ndërsa për sivjet “mbetet të shihet se çfarë mund të bëjnë”. Megjithatë, kjo  lenë të kuptohet se nuk do të ketë rritje të pagave./Indeksonline/