16:26 / E Diele, 17 Qershor 2018 / indeksADMonline

Rahoveci kërkon ndihmën e Qeverisë për të përballuar dëmet e reshjeve

Reshjet e shiut dhe breshrit që filluan pasditen e 14 qershorit, kanë shkaktuar miliona euro dëme në qytetin e Rahovecit dhe fshatrat përreth. Për të përballuar dëmet, nevojitet ndihma e Qeverisë, pasi që buxheti i kësaj komune nuk ka fonde të mjaftueshme.

Përveç dëmeve në vreshta dhe kultura bujqësore të shkaktuara nga breshëri dhe shiu i madh, ka pasur dëme edhe në amvisëri dhe biznese.Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, deklaroi për KosovaPress se për të sanuar gjendjen është bërë krejt çka ka qenë e mundur nga ana e komunës, duke formuar shtabin për menaxhimin e krizës, ku pjesë e tij janë të gjitha instrumentet e pushtetit lokal. Porse ka theksuar se urgjentisht nevojitet fondi për investime të dëmeve dhe sistemi raketor antibreshër. Si pasojë e motit të lig, bujqësia në komunën e Rahovecit është goditur aq shumë sa që nuk dihet se si do të mbijetojnë fermerët të cilët kanë toka me qira, puna e të cilëve siç thotë kryetari Latifi pothuajse ka shkuar e tëra dëm.

Edhe kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti shpreh shqetësimet e tij për banorët e asaj ane, e të cilëve iu janë shkaktuar dëme të shumta pas vërshimeve. Për sanimin e kësaj situate dhe mënyrë që të zvogëlohen dëmet, Hoti thotë se nevojitet mbështetja e Qeverisë, pasi që ka familje që jetojnë ekskluzivisht nga bujqësia.

Banori i Krushës së Madhe, Muhamedali Hoti ka treguar për KosovaPress se shiu ka lënë pas vetes pasoja të mëdha për familjet e fshatit.

Ndryshe, qysh nesër në Rahovec do të mbahet seancë urgjente lidhur me situatën e krijuar, me qëllim të daljes nga kjo situatë e vështirë për banorët dhe bizneset e Rahovecit, si dhe fshatrave përreth.

Temat: