20:21 / E Martë, 03 Korrik 2018 / indeksADMonline

Raporti i KE-së, nuk e përcakton kohën e liberalizimit të vizave

Qershori ka qenë muaji kur krerët institucional kanë deklaruar se do dal edhe raporti i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli këtë vonesë për Indeksonline e ka arsyetuar duke thënë se ditët e fundit të qershorit ishin festive.

Ai është shprehur i bindur se Këshilli Evropian do dal gjatë kësaj jave me raportin i cili do dëshmojë nëse janë plotësuar kriteret e fundit për vizat.

Megjithatë, zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Integrime Evropiane nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, në një prononcim për Indeksonline thotë se me këto vonesa, del në pah dyshimi rreth përgjigjes pozitive nga KE.

“Është më se e qartë se dyshimet rreth përgjigjes pozitive nga Komisionit Evropian tani kanë dal në pah.  Neve kemi insistuar që të qartësohet komunikimi rreth përmbushjes së obligimeve që kanë përcaktuar kriteret e liberalizimit. Por kjo Qeveria e ngarkuar me shfrytëzimin e pushtetit për interesa personal dhe grupore të tyre siç po shihet ka lënë në dorë të dytë obligimet kryesore siç janë sundimi i rendit dhe ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për çfarëdo vendimi mbetet obligim që llogaridhënia të jetë objekt shqyrtimi për shtyrjen dhe prolongimin e këtij procesi të rëndësishëm”, është shprehur Zemaj.

Sipas tij, shpresa e vetme është mbështetja e miqve të Kosovës të cilët kanë shpreh  vullnetin e qartë politik për lëvizjen e lirë si dhe integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Por, në këtë gjë nuk beson edhe njohësi i çështjeve për Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku.

Në një prononcim për Indeksonline ai thotë se Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm se nuk mund të marrin vendime politike.

“Mendoj që problemi i Bashkimit Evropian është çështja e pesë mosnjohjeve nga shtetet anëtare.  Fillimisht Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm se nuk mund të marr vendime politike, të cilat janë pothuajse të paarritshme dhe si i tillë BE ka krijuar çështje kontradiktore, ashtu siç ka qenë edhe vendosja e demarkimit me Malin e Zi, përderisa Kosova e ka të papërfunduar demarkimin me Serbinë e po ashtu ka  vende anëtare të BE-së që e kanë të papërfunduar demarkimin”, është shprehur Mazreku.

E këtë gjë, sipas tij, e dëshmon edhe vonesa e raportit.

Ndërsa, sa i përket afati kohor për liberalizimin e vizave, Mazreku ka thënë se çështja e raportit të KE, nuk mund të predikojë asnjë lloj date, duke thënë se koha për lëvizjen pa viza mund të caktohet vetëm pasi Këshilli i  Bashkimit Evropian të jep vendim pozitiv për këtë çështje.

“Edhe rasti i fundit e dëshmon të njëjtën gjë se Bashkimi Evropian aktualisht nuk ka kapacitete vendimmarrëse politike për të nxjerr vendimmarrje politike për Kosovën, për të proceduar çështjen atje ku duhet, në Këshillin e Bashkimit Evropian , ku edhe është vendi i fundit ku merret vendimi për liberalizimin e vizave. Krejt afati kohor varet se kur çështja e liberalizimit të vizave dërgohet në Këshillin e Bashkimit Evropian. Afati mund të caktohet vetëm pas vendimit pozitiv të Këshillit të BE-së. Edhe çështja e raportit të Komisionit Evropian nuk mund të predikojë asnjë lloj date se kur Kosova mund të marr liberalizimin e vizave”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, krerët institucional gjatë gjithë kohës po deklarojnë se liberalizimi i vizave është çështje ditës./Indeksonline/