09:21 / E Martë, 19 Qershor 2018 / indeksADMonline

Raporti i UNHCR: Mbi 68 milionë të zhvendosur me forcë në fund të vitit 2017

Me mbi 68 milionë të zhvendosur me forcë në fund të vitit që lamë pas, marrëveshja e re globale për refugjatët është e domosdoshme

Luftërat, format e tjera të dhunës dhe të persekutimit e shtynë zhvendosjen e detyruar mbarë-botërore drejt një rekordi të ri në vitin 2017 për të pestin vit me radhë, duke filluar nga kriza në Republikën Demokratike të Kongos, lufta në Sudanin Jugor, dhe zhvendosja e qindra mijëra refugjatëve të komunitetit Rohingya nga Mianmari në Bangladesh. Kryesisht vendet në zhvillim janë më të prekurat.

Në raportin vjetor Trendet Globale të publikuar sot, UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatët tha se 68.5 milion njerëz ishin të zhvendosur në fund të vitit 2017. Në mesin e tyre ishin 16.2 milion njerëz që u zhvendosën vetëm gjatë vitit 2017, për herë të parë apo zhvendosje e përsëritur – duke treguar kështu një numër të madh njerëzish në lëvizje dhe të barabartë me 44,500 njerëz që zhvendosen çdo ditë, ose një person të zhvendosur çdo dy sekonda.

Refugjatët që kanë ikur nga vendet e tyre për të shpëtuar nga konflikti dhe persekutimi përbëjnë 25.4 milion nga 68.5 milion. Kjo është 2.9 milion më shumë se në vitin 2016, si dhe rritja më e madhe që UNHCR ka parë në një vit të vetëm. Numri i azil-kërkuesve që ishin ende në pritje të rezultatit të kërkesës së tyre për statusin e refugjatit deri më 31 dhjetor 2017 u rrit ndërkohë nga 300,000 në 3.1 milion. Njerëzit e zhvendosur brenda vendit të tyre përbënin 40 milion të totalit, pak më pak se 40.3 milion sa ishin në vitin 2016.

Shkurtimisht, në vitin 2017, bota kishte aq shumë njerëz të zhvendosur me forcë, pothuajse sa popullsia e Tajlandës. Në të gjitha vendet, një në çdo 110 persona është i zhvendosur.

“Jemi para një çasti vendimtar, ku suksesi në menaxhimin e zhvendosjes së detyruar në nivel global kërkon një qasje të re dhe shumë më gjithpërfshirëse në mënyrë që vendet dhe komunitetet të mos mbeten të vetëm në trajtimin e kësaj dukurie”, tha Komisari i Lartë i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi. “Por, ka arsye që të kem pak shpresë. Katërmbëdhjetë vende tashmë janë duke zhvilluar një plan të ri për t’iu përgjigjur situatave të refugjatëve dhe brenda disa muajve, një Marrëveshje e re Globale mbi Refugjatët do të jetë gati për miratim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Sot, në prag të Ditës Botërore të Refugjatëve, mesazhi im për shtetet anëtare është se i lus ta mbështesin këtë. Askush nuk bëhet refugjat me zgjedhjen e tij/ të saj; por pjesa tjetër, ne mund të kemi një zgjedhje për mënyrën se si të ofrojmë ndihmë”, bëhet e ditur përmes komunikatës për media dërguar nga UNHC R në Kosovë.

Raporti i UNHCR mbi Trendet Globale publikohet çdo vit në mbarë botën para Ditës Botërore të Refugjatëve (më 20 qershor) dhe përcjell zhvendosjen e detyruar në bazë të të dhënave të mbledhura nga UNHCR, qeveritë dhe partnerët tjerë. Ai nuk shqyrton mjedisin global të azilit, të cilin UNHCR e raporton ndaras dhe që në vitin 2017 vazhdoi të shqyrtojë incidente të kthimit të detyruar, politizim dhe viktimizim të refugjatëve, refugjatë që burgosen ose që u mohohet mundësia për të punuar, dhe disa vende që kundërshtojnë madje edhe përdorimin e fjalës “refugjat”.

Megjithatë, raporti i Trendeve Globale ofron disa informata, përfshirë në disa raste edhe mbi realitetin e perceptuar kundrejt realitetit të zhvendosjes së detyruar dhe se si këto mund të jenë nganjëherë në kundërshtim me njëra tjetrën.

Në mesin e këtyre është edhe nocioni se personat e zhvendosur në botë janë kryesisht në vendet veriore të globit. Të dhënat tregojnë se e kundërta është e vërtetë – 85 për qind të refugjatëve janë në vendet në zhvillim dhe shumë prej tyre janë shumë të varfëra dhe marrin shumë pak mbështetje për t’u kujdesur për këtë popullsi. Katër nga pesë refugjatë mbesin në vendet fqinje.

Fatkeqësisht, zgjidhjet për tërë këtë çështje mbetën të pakëta. Luftërat dhe konfliktet vazhduan të jenë nxitësit kryesor me pak progres të dukshëm drejt paqes. Rreth pesë milionë njerëz ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpitë e tyre në vitin 2017, ku shumica e tyre ktheheshin nga zhvendosja brenda vendit, por në mesin e këtyre kishte njerëz që ktheheshin si rezultat i presionit apo në mjedise të brishta. Për shkak të rënies në numrin e vendeve për ri-sistemim, numri i refugjatëve të risistemuar kishte rënë nën 40 për qind, me rreth 100,000 njerëz.