14:15 / E Premte, 17 Gusht 2018 / indeksADMonline

Rasti ‘Stenta’, refuzohet ankesa e Gani Bajraktarit dhe 38 të tjerëve

Gjykata e Apelit të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e kardiologut të suspenduar Gani Bajraktari dhe tredhjet e tetë të akuzuarave në rastin e njohur si ‘Stenta’, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare e marrje ryshfeti.

“Gjykata e Apelit të Kosovës, duke vendosur sipas ankesave, ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 30.05.2018, përmes të cilit janë refuzuar si të pabazuara kërkesat e tredhjet e nëntë të akuzuar për hudhje të akuzës dhe kundërshtim të provave.Sipas aktakuzës se prokurorisë speciale, e cila ka marrë miratimin e shkallës së parë, të pandehurit GB, MA, FH, AS, AK, BG, F. Sh., LP, LK, FS, NM, DM, BK, HQ, S Gj., BG, HH, DG, BP, EM, BM, NR, HS, LP, Sh.Sh., GB, DK, MG, AL, MS, Xh.K, PA, AB, AP dhe AB, akuzohen për vepra të ndryshme penale si keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, marrje ryshfeti etj” thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata e Apelit e Kosovës vlerëson se Gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve për hedhjen e aktakuzës si e pabazuar, në bazë të nenit 249 par.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosova, meqenëse nuk paraqiten asnjë nga rrethanat e parashikuara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të këtij kodi.

Kujtojmë që, në aktakuzën e ngritur ndaj tyre thuhet se me dashje dhe dijeni ata ua kanë lëshuar pacientëve letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se që nga data 01 janar 2011 deri më datën 31  dhjetor 2015 duke vepruar në bashkëkryerje si persona zyrtarë në pozitën e mjekëve në SHSKUK Prishtinë kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar pacientëve letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore,” thuhet në aktakuzë./Indeksonline/