23:54 / E Premte, 30 Mars 2018 / indeksADMonline

Reagimi i këshilltarit të Haradinajt rreth rastit të gylenistëve

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Halil Matoshi ka thënë se po të ishte i informuar kryeministri Ramush Haradinaj për arrestimin e gjashtë shtetasve turq në Kosovë, nuk do të lejonte depërtimin e tyre.

Sipas tij, për këtë punë duhet të kujdeset prokuroria.

“Janë të dështuara përpjekjet që në çfarëdo forme të ndërlidhen “njerëzit e Haradinajt” me kidnapimin dhe deportimin në mënyrë arbitrare të gjashtë qytetarëve turq në vendin e origjinës (?) është thjeshtë tendencë e deshpëruar e shpërndarjes së përgjegjësisë, (sepse sot është vetëm, politike e nesër mund të jetë edhe penale?) në ndërkohë që Haradinaj nuk është informuar fare për operacionin, sepse po ta dinte – duke e njohur sensin e tij për drejtësi – kurrë nuk do të ndodhte deportimi!”, shkroi Matoshi në Facebook.

Sipas tij, e vërteta do të tregojë se në këtë ‘kidnapim’ nuk ishin të përfshirë ‘njerëzit e Haradinajt’.

“E vërteta do të dalë në shesh dhe ajo nuk mund të fshihet nga askush përgjithmonë e me fakte alternative ose të fabrikuara’, theksoi ai.

“Duhet një hetim i hollësishëm, nga i cili dikush pëson, por fiton Republika, kurse estabilishmenti emancipohet, me e ruejt tjetrin nga vetja!”, shpjegoi Matoshi.