09:20 / E Diele, 24 Qershor 2018 / indeksADMonline

Reagon Federata Gjermane: Ky nuk është stili jonë, kërkojmë falje (Video/Foto)

Kombëtarja e Gjermanisë ka shënuar fitoren e parë në Kampionatin Botëror “Rusi 2018”.

Fal golit në minutën e fundit të Toni Kroos, kampioni aktual arriti ta mposhte 2 me 1 Suedinë, shkruan IndeksOnline.

Megjithatë pas përfundimit të ndeshjes, në zonën e bankës rezervë ndodhi një incident i vogël ku u përfshinë, trajneri suedez, Janne Andersson një zyrtar i Suedisë dhe një pjesëtar i DFB-së, Georg Behlau.

Shefi i organizatës së Federatës Gjermane, Behlau pas golit të shënuar iu afrua kundërshtarëve duke festuar. Kjo nuk u pëlqeu fare suedezëve, të cilët patën një kacafytje në fund.

Pas këtij incidenti ka reaguar Federata e Gjermanisë, të cilët u kërkuan falje stafit të Suedisë, ndonëse ky gjest ishte emocional.

“Ishte një lojë shumë emocionuese. Në fund, një reagim ose gjest nga pjesëtari i stafit tonë ndaj bankës suedeze ishte shumë emocional. Kjo nuk është në stilin tonë. Kërkojmë falje për trajnerin suedez dhe ekipin e tij”, shkruhet në njoftimin e DFB-së.

Gjermania për të siguruar kalimin e grupeve duhet ta mposhtë Korenë e Jugut. Në anën tjetër, Suedia duhet të fitojë bindshëm ndaj Meksikës./IndeksOnline/