09:48 / E Premte, 23 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Reagon KOMF: Ndërprerja e mësimit, dëmton interesin e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka reaguar për ndërprerjen e procesit mësimor duke thënë se greva disa orësh po e pengon interesin me të mirë të fëmijëve.

Sipas KOMF-it, ndërprerja e procesit mësimor nuk guxon për asnjë arsye të ndërpritet pasi cenon të drejtën për arsim e garantuar me akte ligjore e me Konventën për të Drejtat e Fëmijëvë, transmeton Indeksonline.

Më poshtë gjeni reagimin e tyre të plotë:

KOMF me kujdes të shtuar ka ndjekur ngjarjet e fundit në procesin mësimor në shkollat e Republikës së Kosovës, duke u karakterizuar me pengim të procesit mësimor nga greva e mësimdhënësve.

KOMF vë ne dijeni se procesi mësimor për asnjë arsye nuk guxon të ndërpritet nga asnjë akter brenda procesit mësimor dhe jashtë tij. Ndërprerja e procesit mësimor si veprim është në kundërshtim të plotë me interesin më të mirë të fëmijëve dhe cenon të drejtën për arsim e garantuar me instrumentet ndërkombëtare dhe aktet ligjore duke filluar nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve deri tek Ligji për Arsim Parauniversitar i Republikës së Kosovës.

Ne si koalicion kuptojmë shqetësimin e drejtë dhe të ligjshëm të mësimdhënësve të cilët adresojnë pakënaqësitë e tyre ndaj çështjeve që lidhen me pozitën e tyre dhe procesin mësimor, por nuk mbështesim asnjë formë të protestës e cila paraqet pengesë për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Shfrytëzimi i fëmijëve gjatë orarit mësimor pengon procesin mësimor, shkakton ngecje në mësim tek fëmijët, krijon kushte që fëmijët gjatë orëve të protestës të hasin në konflikte dhe dhunë mes bashkëmoshatarëve dhe bredhje në pritje për fillim të mësimit.

KOMF apelon tek institucionet vendore dhe institucionet arsimore që të bëjnë përpjekje të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për dalje nga kriza dhe mos t’i viktimizojnë fëmijët për realizimin e interesave të tyre por të angazhohen në ngritje të cilësisë dhe përmirësim të kushteve për mësim brenda shkollave. Në si shoqëri duhet të angazhohemi fuqishëm për avancimin e kualitetit të mësimdhënies dhe mësimnxënies marrë për bazë vlerësimin e programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve “PISA”, i cili e ka radhitur Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi./Indeksonline/