11:59 / E Premte, 02 Mars 2018 / indeksADMonline

Reçica: Me ligjin e ri do të shtohet numri i inspektorëve të punës 

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu i ka drejtuar një pyetje ministrit për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Skender Reçica për mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

Kësaj pyetje i është përgjigjur Reçica, i  cili ka thënë se është i vetëdijshëm për gjendjen në këtë sektor.

“Pyetja e juaj që ndërlidhet me sektorin privat është një nga shqetësimet dhe preokupimet e mia që nga dita kur e kam marr mandatin. Po bëj përpjekje që në të ardhëm të kemi sa më pak lëndime në punë e dhe raste me fatalitet. Po ashtu, po punojmë që të drejtat e punëtorëve të respektohen në plotësi”, ka thënë ministri Reçica, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, Inspektorati i Punës bën inspektime të rregullta në bashkëpunim me institucione tjera që mbikëqyrin zbatimin e ligjit.

“Aktualisht janë 41 inspektor të punës dhe 7 koordinator rajonal që kanë kompetenca edhe për të kryer inspektime. Inspektorati nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të kryer punën e tij.  Me ligjin për siguri dhe shëndet në punë janë disa direktiva që janë miratuar edhe nga Qeveria. Gjendja e punëtorëve në sektorin privat nuk është më e mira por kërkon zbatim edhe nga punëtori e punëdhënësi”, ka theksuar Reçica.

Ai ka njoftuar se në bazë të ligjit për siguri dhe shëndet në punë, tanimë kanë filluar të certifikojnë persona që do të jenë përgjegjës për shëndetin e punëtorëve në punë.

“Jemi të vetëdijshëm se numri i  inspektorëve nuk është i mjaftueshëm për të siguruar se respektohet kontrata, orari i punës etj. Prandaj do të shtohen edhe 10 inspektorë të rinj për këtë çështje. Ky ligj për të cilin po punojmë nga dita e parë do të jetë i zbatueshëm dhe me direktiva të BE-së. Është mirë të kem ngritje të vetëdijesimit si nga punëdhënësi ashtu edhe nga punëmarrësi që të tregojnë për mosrespektim dhe parregullsitë që shohin”, ka përfunduar Reqica. /Indeksonline/