11:19 / E Enjte, 01 Mars 2018 / indeksADMonline

Reçica sqaron vendimin për rritje të pagesës mujore për familjet në skemën e ndihmave sociale (Video)

Skender Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për skemën e ndihmave sociale.

Ai ka thënë se pavarësisht se çmimet e artikujve të nevojshëm për jetesë janë rritur shpesh, shuma e ndihmave sociale deri tani nuk është rritur, raporton Indeksonline.

“Sot do flas për vendimin e 12 janarit për rritjen e ndihmës sociale për qytetarët që janë në mbështetje të saj. Ne si qeveri jemi zotuar se do të jemi pranë kategorisë së njerëzve me nevoja të veçanta, përfshirë veteranët, viktimat e dhunës së luftës së fundit etj. Pensionet dhe ndihmat sociale janë burim i rëndësishëm i familjeve që kanë të ardhura të ulëta”, ka thënë Reçica.

Sipas tij, me një nivel relativisht të lartë të varfërisë që ka Kosova, është qenësore që familjeve të varfra t’u sigurohen të ardhurat.

“Skema pensionale luan rol bazë në varfëri, vlera mujore ka pasur ngritje dy herë, në 2009 është rritur 5 euro dhe në vitin 2015 është rritur prapë për 25%, por këto despozita nuk janë zbatuar përgjatë viteve të kaluara. Shuma është shumë më e ulët se sa kufiri i varfshmërisë së skajshme”, ka theksuar Reçica.

Ai ka sqaruar se shuma e ndihmave caktohet pavarësisht sa anëtar ka një familje.

“Duke filluar nga 60 euro me familjet me 1 anëtarë, për të vazhduar me më shumë. Shuma mujore caktohet sipas numrit të anëtarëve të familjes e që duhet të harmonizohet me indeksin e shportës. Me gjithë lëvizjet e artikujve të shportës, skema nuk është rritur për këto familje”, ka përfunduar Reçica. /Indeksonline/