23:05 / E Shtunë, 07 Prill 2018 / indeksADMonline

Regjisorja kosovare përmes shfaqjes dërgon mesazh të fuqishëm në New York

Bazuar në legjendën e famshme të Rozafës, e cila është përcjellur brez pas brezi, artistet kosovare Kreshnike Osmani dhe Vjosa Malokaj kanë vendosur ta sjellin këtë histori në skenë, përmes një performance e cila do epet premierë në Amerikë.

Shfaqja mban titullin “Fati i Rozit” dhe do të jetë pjesë e edicionit të 13-të të festivalit “The ONE Festival” në New York.

Me tekst dhe perfomancë nga Vjosa Malaj, kjo shfaqje vjen në skenë e realizuar nga regjisorja Kreshnike Osmani. Kjo e fundit tregon për Indeksonline rreth temës që trajton kjo shfaqje dhe mesazhin që përcjellë.

“Rozi’s Fate” performancë e cila në qendër e ka Legjendën e Rozafatit. Një nënë e cila la djalin e saj të vogël në pritje që të kthehet, por nuk u kthye asnjëherë. Derisa Rozafati i gojëdhenës vetflijohet (duke u murosur e gjallë me qëllim që kështjella të qëndroj), personazhi i Rozafatit në shfaqje vjen si protestë ndaj sakrificës e cila nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë”, tregon Osmani.

Regjisorja sakrificën e Rozafatit e bën më të gjerë, ku mendon që shumë gra në gjithë botën nuk e kanë lirinë e fjalës apo lirinë e vendimmarrjes, duke u sakrifikuar në mënyra të ndryshme.

“Sot Rozafa proteson që njerëzit të dijnë dhe të njohin figurën e saj dhe të reflektojë shoqëria që këto lloj sakrificash të mos përkrahen asnjëherë. Kjo shfaqje përveç që ka në qendër gojëdhënën e Rozafatit, gjithashtu merret edhe me mentalitetin, traditat të cilat cënojnë të drejtat e grave kudo nëpër botë’, shprehet regjisorja.

Ajo tregon se dëshira për të qenë pjesë e kësaj gare ishte e madhe, me gjithë vështirësitë që kanë hasur.

“Nuk ka qenë e lehtë, duke qenë se duhet të jemi prezente në këtë shfaqje unë dhe ekipa na është dashur të kërkojmë edhe ndihmë financiare për qëndrimin në New York. Por deri tani është Ministria e Kulturës ajo që ka paguar biletat e udhëtimit. Duke shpresuar që në ditët në vijim të gjejmë edhe përkrahje nga institucione të tjera”.

“Fati i Rozit”do të shfaqet në tri data të ndryshme. Më 24 prill dhe 25 prill duke filluar nga ora 20:00, kurse më 28 prill duke filluar nga ora 17:00.
Ky festival është me karakter garues./Indeksonline/