10:02 / E Diele, 11 Mars 2018 / indeksADMonline

Regjistrimi i bizneseve të vogla, Shqipëria sjellë lehtësira

Regjistrimi i bizneseve të vogla me qarkullim parash mbi 2 milionë lekë në skemën e TVSHsë do të shoqërohet me lehtësira.

Kështu, duke nisur nga 1 prilli, kur hyn në fuqi kjo nismë, e vetmja gjë për të cilën s’do të mund të ankohen bizneset, do të jetë informimi. Sportele të dedikuara do të ngrihen në të gjitha zyrat e shërbimit të tatimpaguesve, për të ofruar asistencë dhe informacion në çdo kohë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, teksa shfrytëzoi këtë të shtunë për të inspektuar Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në qytetin juglindor të Korçës. “Për bizneset e vogla që do të përfshihen në skemën e deklarimit të TVSH-së, një sportel i dedikuar asistence, informimi dhe trajnimi në Korçë dhe në çdo zyrë të shërbimit të tatimpaguesve, në të gjithë Shqipërinë”. Përveçse, do të përfshihen në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar, bizneset e vogla kanë po ashtu detyrimin që brenda këtij muaji të kenë bërë inventarizimin e mallit të mbetur stok, në vlerë dhe sasi.

REFORMA

Gjatë inspektimit, Ahmetaj vuri theksin edhe te reforma e derregullimit dhe efektet që ajo ka sjellë. Përgjatë një muaji, sipas tij, gjenerohen online mbi 1200 vërtetime në muaj. Nëse kjo praktikë do të vijonte me metodën e vjetër, pra, dokumentacioni do të tërhiqej dorazi, pritja dhe radhët, që do të krijoheshin nga biznesi, do të ishin një problem më vete.

“Mbi 1200 vërtetime në muaj, që më parë ofroheshin vetëm të printuara në letër, tani falë reformës së derregullimit, gjenerohen lehtësisht online përmes platformës e-Albania. Numri i veprimeve në sportel është ulur nga 1200 në vetëm 200 në muaj”, tha Ahmetaj, i cili shtoi po ashtu se kjo reformë e ndërmarrë prek çdo qytetar dhe sipërmarrje. “Ato shërbime që ne kemi vlerësuar, kanë filluar të japin rezultat të prekshëm në terren”, tha më tej kreu i Financave. Në lidhje me detyrimet e papaguara të bizneseve, një shqetësim ky i ngritur edhe nga punonjësit e Tatimeve në drejtorinë e Korçës, Ahmetaj udhëzoi këshillimin e tyre për të bërë të mundur likuidimin e pagesave të prapambetura.