18:00 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Rekaliu: Gjendja e arsimit ishte më e mirë në vitet 90-99 se si është tani

Deputeti nga radhët e LDK-së, Fidan Rekaliu gjatë fjalimit të tij të mbajtur në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur rreth gjendjes së arsimit të lartë në vend.

Deputeti i LDK-së, dhe anëtari i Komisionit për Arsim, Rekaliu, ka kritikuar qeverinë Haradinaj, për siç tha ai degradimin e arsimit në Kosovë, duke e shkarkuar bordin e Agjensionit për Akreditim.

Rekaliu, në fjalimin e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, lidhur me përjashtimin e Kosovës nga AQAR, tha se situata e arsimit ka qenë më e mirë në vitet 1990-1999, se që është tani.

Ky është fjalimi i plotë:

Kolegë deputetë,

Vite me radhë jemi përballur me probleme te mëdha  në sistemin e arsimit në Republikën e Kosovës sidomos në atë të lartë. Të gjithë ne që jetojmë e veprojmë në Kosovë, përditë përballemi me raste të rënda të papunësisë tek rinia jonë, qofshin ata studentë, apo që kanë mbaruar qoftë njërin apo tjetrin nivel të studimeve të avancuara. Të gjithë ndjejmë dhimbje për këto raste, dhe në këto momente pyesim veten pse s’po e zgjidhim dot këtë plagë, ndër më të rëndat e Kosovës së pasluftës. Në anën tjetër, shohim përditë kërkesa specifike nga tregu i punës nga punëdhënës në sektorin privat që përballen me mungesë të punonjësve të kualifikuar, ose më saktë, nuk arrijnë të gjejnë në treg, nivelin e duhur të përgatitjes specifike profesionale.

Sistemi i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, përveç se funksionon me dobësi të rënda, më saktë nuk arrin t’i pajisë me dije, shkathtësi e zotërim minimal të profesionit të diplomuarit, në të njëjtën kohë, është edhe i dizajnuar në shpërpushje me kërkesat e tregut të punës, shkallën e avancuar të inovacionit dhe kapaciteteve zhvillimore e absorbuese në Republikën e Kosovës.

Kështu këto politika, kanë prodhuar numër enorm të të diplomuarve në disa drejtime gjenerale pa asnjë mundësi për t’u futur në tregun e punës dhe në anën tjetër, ka lënë bosh tregun e punës me profesione e drejtime profitabile qoftë për të rinjtë qoftë për ekonominë e vendit.

Sot, ne do të duhej të flisnim në këtë seancë për reformën e thellë e të gjithanshme të arsimit të lartë dhe për ndryshimin e politikave të gabuara, të cilat i përmenda më lartë. Por, këtë mundësi nuk e kemi. Nuk e kemi sepse Qeveria, qartësisht më e dobëta që e ka pasur Kosova ndonjëherë, sistemit të arsimit të lartë, të ardhmes së rinisë kosovare, ka vendosur t’i vëjë edhe një gurë më shumë mbi shpinë. Përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, është një akt i rëndë me pasoja të qarta në perspektivën e reformave dhe besimit se një ditë, ky sistem arsimor do të nxirret gradualisht nga kollapsi. E shprehur në forma të ndryshme, ky veprim i Qeverisë, ka prodhuar ende më shumë zhgënjim tek qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në një vend që synon arritjen dhe jetësimin e standardeve për shoqëritë e shtetet moderne evropiane, nuk do të kishte nevojë fare për seancë të jashtëzakonshme, ngase dorëheqjet e atyre që e kanë menduar, nxitur, lejuar dhe më pas që kanë vepruar në këtë drejtim tashmë do të ishin fakt i kryer. Megjithatë, kur kemi të bëjmë me një shkallë të tillë të papërgjegjshmërisë e pa përgjegjësisë në qeverisje, ndoshta këto pritje janë tepër.

Andaj, sot me këtë rast, si deputet dhe kolegë i juaji, u shprehë mirënjohjen deputetëve nënshkrues të kësaj séance të jashtëzakonshme që e bëtë të mundur të krijohen kushtet për të kërkuar përgjegjësi nga akterët e kësaj vepre kundër interesave të studentëve, imazhit tone jashtë dhe të vendit në përgjithësi.

Dua të besoj, madje shpresoj shumë, që secili deputet në këtë Kuvend, i pozitës a i opozitës, do të jetë në lartësinë e detyrës politike përfaqësuese e qytetare për t’u bashkuar për të mirën e rinisë dhe të vendit, që të mos lejojnë të përfundojë kjo seancë pa rezultate konkrete. Ky Kuvend mund dhe duhet të veprojë sot. E ka detyrim të veprojë. Mos harroni, është në nderin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të ushtrojë përgjegjësitë e tij kushtetuese në mbikëqyrjen dhe korrektimin e Qeverisë, jashtë çdo interesi të ngushtë partiak që ndërlidhet me marrëveshjet për të mbajtur pushtetin si qëllim më vete, sot kur bëhet fjalë për një çështje si kjo. Kryeministri i vendit me nxitjen e bere per te shkarkuar bordin e mëparshëm te agjencionit per akreditim ka shkaktuar kete situate qe dëmton edhe me tej imazhin e universiteteve tona. Prandaj, i njejti duhet te jap pergjegjesi per kete situate te krijuar. Eshte obligim qe e kemi ndaj nje sistemi arsimor i cili duket se ka funksionuar me mire ne periudhen 1990-1999 sesa tash. Duket qe kjo qeveri nuk po lehteson aspak problemet qe vendi ka, perkundrazi, ajo po eshte shkaktari i shumices prej tyre. Nje qeverisje e tille duhet te nderpritet sa me pare, per te miren e qytetareve tane.