14:17 / E Mërkurë, 14 Mars 2018 / indeksADMonline

Rekomandohet zbritja e pagave të Trustit 25 për qind

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa sot ka rekomanduar Bordin e Trustit Pensional të Kosovës që të ulë pagat 25 për qind për menaxhmentin e lartë të Trustit.

Në rekomandime thuhet që pagat e këtyre zyrtarëve të jenë në nivel të pagave me menaxhmentin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), meqë është edhe mbikëqyrës i Trustit.

Aktualisht paga më e lartë në Trust është 4980 euro, e drejtorit menaxhues, Adrian Zalli, ndërsa paga më e lartë në BQK është e guvernatorit 4140 euro, si dhe paga e zyrtarit të lartë është 1075.

Kryetari i këtij Komisioni Lumir Abdixhiku ka thënë se Komisioni për Buxhet dhe Financa pati premtuar se do të bëjë rishikimin e pagave të menaxhmentit të Trustit, pasi konsiderohet se pagat e tilla janë disporporcionale me nivelin ekonomik e social në vend dhe mbi të gjitha disporpocionale edhe me institucionet tjera financiare.

 

“Paga në nivel të BQK-së, megjithatë, mbetet sërish paga më e lartë të Kosovës. Pra, ne po e ulim pagën për 25 për qind, por prapë mbetet ndër pagat më të lartë që jepen sot në Kosovë”, ka thënë Abdixhiku.

Anëtari i këtij Komisioni, Naser Osmani, tha se rekomandimi i grupit punues është që të zvogëlohet për 25 për qind për të gjitha pozitat e larta në Trust dhe të hiqen shtesat dhe bonuset tjera për drejtorët e Bordit të Trustit.

 

“Paga e drejtorit të Trustit Pensional është 4980 euro dhe paga më e vogël e këtij menaxhmenti që e quajnë profesional është zyrtarë për marrëdhënie me publikun 1150 euro. Në mes këtyre dy kategorive janë pozitat tjera, që sillen të gjitha mbi 2 mijë dhe 1 mijë. Ne kemi bërë një propozim, duke marrë parasysh edhe shpenzimet të cilat I kanë, ne kemi marr në konsideratë pagën e drejtorëve të bordit që kemi konsideruar se është jo e lartë, është një standard, në nivelin e deputetëve. Kemi dhënë rekomandim, që ne t’i drejtohemi Bordit që të zvogëlohet paga për 25 për qind për të gjitha pozitat e menaxhmentit të lartë, stafit profesional dhe drejtorëve, si dhe të hiqen shtesat e anëtarëve të Bordit për pjesëmarrje në mbledhje”, ka thënë Osmani.

Ai ka shtuar se nëse bordi nuk e merr në konsideratë propozimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa, kjo e fundit do ta korrigjojë taksën për Trustin Pensional.

Anëtarja tjetër e Komisionit, Safete Hadërgjonaj, pohoi se vendimet e marra nuk duhet të reflektojnë në mos punën e Trustit, por të kuptohen si vendime të drejta, të cilat përshtaten në kushtet dhe rrethanat e përgjithshme në Kosovë.

Ndryshe, paga aktuale e drejtorit menaxhues të Trustit, Adrian Zalli me shtesa dhe bonuse arrin prej 5 deri 6 mijë euro në muaj.

Temat: