13:43 / E Martë, 27 Mars 2018 / indeksADMonline

Remzi Ejupi flet për stadiumin dhe miqësoren e “famshme”: Në Prishtinë zbarkon kampioni zviceran?

Klubi më i trofeshëm në Kosovë, FC Prishtina ende po përballet me problemin e stadiumit. Madje për klubin kryeqytetas edhe ky sezon i Vala Superligës do të përfundojë pa e shijuar fare shtëpinë!

Skuadra e Prishtinës ashtu si dhe Kombëtarja e Kosovës, e kanë në plan që gjatë muajit qershor të organizojnë një miqësore.

Për këtë ka folur presidenti i klubit bardh e kaltër, Remzi Ejupi. Ai për “IndeksOnline”, thotë se punimet janë duke shkuar shumë mirë dhe pritet që në muajin maj të jetë gati!

“Me stadiumin e ri ka për të ndryshuar futbolli krejtësisht. Do ta ketë fushën më të mirën në rajon dhe kualitative. Dje e kemi parë stadiumin, punët janë duke shkuar shumë mirë, kam pasur mysafirë nga Federata e Gjermanisë, ishin shumë të impresionuar nga pamjet. Stadiumi nuk do të jetë vetëm për Prishtinën, por për Përfaqësuesen e Kosovës,dhe për klubet të cilat kualifikohen për në Champions Ligë dhe Europa Ligë. Sigurisht që edhe për miqësoret e mëdha që organizojnë klubet tjera janë të mirëseardhura. Stadiumi do të gati në maj.”, ka thënë Ejupi për IndeksOnline.

Federata e Futbollit të Kosovës pritet që të organizojë miqësore pasi të finalizohen punimet në stadium, njëjtë do të veprojë edhe klubi me traditë, Prishtina.

“Kemi bisedime me shumë ekipe, por ende nuk mundem me jep data për shkak se ende nuk dihet se kur do të jetë gati stadiumi, sepse këtu dalin gjëra të paparashikuar. Stadiumi duhet të testohet, pra duhet me u organizua disa ndeshje… Mundet me qenë Shkëndija, por pse jo edhe klube nga Shqipëria. Jemi në bisedime edhe me klubin nga Zvicra, Basel – Ata kanë shpreh interesime, i kemi punët shumë mirë me ish-kryetaren e Baselit, dhe sigurisht duke iu falënderua familjes Xhaka.”, ka thënë për fund presidenti i klubit kryeqytetas.

Prishtina është duke ecur shumë mirë në këtë sezon. Në Vala Superligë klubi ka siguruar 43 pikë në pozitën e 2’të në 24 xhiro dhe po lufton për titullin kampion. Përveç ligës, Prishtina synon edhe Kupën e Kosovës, ku në gjysmëfinale do të luajë me Vushtrrinë./IndeksOnline/

Shkruan: Granit Tërstena…