13:04 / E Enjte, 05 Prill 2018 / indeksADMonline

Reshitaj: Prishtina mbetet më problematikja për ndotjen e ajrit

Ministrja e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, gjatë një diskutimi me studentët e RIT Kosova, ka thënë se ndotja e ajrit në Kosovë është një sfidë shumë e madhe, ku më problematikja mbetet komuna e Prishtinës.

Ajo po ashtu numëroi edhe komunat e tjera që përballen me këtë problem.

“Në gjithë regjionin e Kosovës, problemet më të mëdha me ndotjen e ajrit i hasim në Komunën e Prishtinës, Obiliqit, Fushë Kosovës e deri diku edhe rrethet e Komunës së Vushtrrisë dhe Mitrovicës”, theksoi ajo.

Ministrja ka përmendur edhe ndalimin e regjistrimit të veturave më të vjetra se 10 vjet, duke thënë se kosto e shëndetit është më e rëndësishme.

Nga këtu Reshitaj kërkoi ndalimin e përdorimit të thëngjillit në ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla.

“Duhet ta ndërpresim përdorimin e thëngjillit në ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla. Kam mbetur e zhgënjyer kur kam parë se mbi 200 shkolla përdorin thëngjillin si mjet ngrohjeje. E për këtë kam rekomanduar ministrin e Arsimit që të marrë masa për ta ndalur një dukuri të tillë”, u shpreh ministrja e planifikimit hapësinor.