20:41 / E Hënë, 09 Korrik 2018 / indeksADMonline

Rrëfehet “Rrumi” nga burgu: Më është hakmarrë gjykatësi, vëllai ia rrahu axhën! [Foto]

Agron Gashi, 29- vjeç, i njohur me nofkën “Rrumi” është i burgosur në Burgun e Dubravës, pasi që i njëjti është dënuar me plotë 15 vite burgim për tri vepra penale, përkatësisht  ‘Grabitje’, ‘Vjedhje e rëndë’  dhe  ‘Marrje në posedim të pasurisë së paluajtshme ‘, gjithnjë sipas neneve 329 dhe 331 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri Gashi në një bisedë për Indeksonline ka rrëfyer historinë e tij që po kalon në burgjet e Kosovës. Ai pretendon se trupi gjykues përkatësisht anësori, Faik Hoxha tanimë avokat, i ka bërë padrejtësi për dënimin shumëvjeçar që i është shqiptuar para 4 viteve, më saktësisht me 6 qershor 2014.

Agroni po ashtu gjatë bisedës ka treguar se vëllai i tij, Mehmet Gashi e kishte sulmuar më parë fizikisht axhën e ish gjyqtarit, Hoxha, Shefkiun që punon si mësimdhënës në shkollën “Shkëndija” në Hajvali.

Më tutje, Agroni shton se tani përdorë edhe medikamente qetësuese për shkak të problemeve me të cilat ballafaqohet. Ai ka thënë se nuk do të ndalet në këtë çështje derisa të vihet drejtësia në vend. Madje, ai është futur edhe në grevë urie në formë proteste për padrejtësitë që thotë po i bëhen.

“Më është bërë e padrejtë prej Gjykatës. Gjyqtari anësor që ka marrë pjesë, Faik Hoxha ka vepruar njëanshëm për shkak se vëllai im i dytë, Mehmet Gashi para disa vite e ka rrah axhën e tij, Shefki Hoxhën, mësimdhënës në shkollën fillore “Shkëndija” në Hajvali. Unë tash e katër vite gjendem brenda burgut. Gjithsejtë i kam 15 vite e katër muaj burgim pjesërisht, i kam gjitha këto dënime që figurojnë krejt në burgjet e Kosovës. Unë e kam qepë gojën në mënyrë shumë katastrofale me pe dhe tash me tela dhe jam i shokuar, askush nuk merret me mu. Për momentin jam i vendosur apo i stacionuar në Spitalin e Burgut edhe po vazhdojë të pres që të merret dikush me rastin tim që katër vite. Unë vet në formë të protestës e kam qepur gojën edhe jam në grevë urie që dy ditë as nuk ha e as nuk pijë as sen hiq, jam në repart të Spitalit i vendosur, këtu nuk po e dinë se ku është çështja”, ka thënë Gashi për Indeksonline.

Ai është i bindur se trupi gjykues i është hakmarrë. Ndërsa, sipas tij, askush nuk mund t`i mbajë 15 vite burg për ato vepra, për të cilat Gashi thotë se e ka pranuar fajësinë.

“…ndërsa protestat e mija nuk do të ndalen deri në flijim derisa drejtësia të del në shesh, nëse i ka mbajtur dikush 15 vite burgim për tri vepra të tilla atëherë edhe unë i mbajë jo 15 po 30. Puna është te hakmarrja direkte. Unë e kam pritur Apelin, Supremen por asnjëra s’kanë ndërmarrë kurrgjë më kanë autorizuar vet një avokat të shtetit sipas detyrës zyrtare, unë skam dashur të autorizojë avokat jo që s’kam pasur mundësi, unë e kam pranuar fajësinë për ato vepra që i kam kryer ata në mënyrat e veta psikologjike kanë arritur të manipulojnë me mua dhe më kanë premtuar se do të lirohem me 3 vite burgim.  Unë para katër vite nuk kam pasur as pjekuri të mjaftueshme  e pranoj publikisht këtë, tani kam më shumë njohuri, jam duke lexuar më shumë dhe jam risocializu po ashtu jam kthyer në shkallën nën zero…”, përfundon rrëfimi i Agronit.

Indeksonline ka kontaktuar edhe avokatin e tij, Isa Salihun i cili është i autorizuar nga burgu për mbrojtjen e të pandehurit. Salihu ka treguar se në realitet i mbrojturi i tij fillimisht është ballafaquar me 28 vepra penale, mirëpo pas rikualifikimit të Prokurorisë së Shtetit kanë mbetur vetëm tri në funksion.

“Agroni është i dënuar për tri vepra penale në vazhdimësi dhe në realitet ka pasur 28 vepra penale. Mirëpo, pas ri-kualifikimit nga Prokuroria e Shtetit ka mbet në tri. Ai është gjykuar për grabitje në vazhdim nga neni 329 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 31 dhe 32 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu për veprën penale Vjedhje e rëndë në vazhdimësi në bashkëkryerje nga neni 329 paragrafi 1 me disa persona të ndryshëm dhe vepra tjetër marrja në posedim e pasurisë së paluajtshme nga neni 331. Për këto vepra penale është dënuar, për të parën 7 vite, veprën e dytë, 7 vite dhe për veprën e tretë 1 vit gjithsejtë 15 vite”, ka thënë Salihu.

Pala mbrojtëse ka treguar po ashtu se ndaj këtij aktgjykimi kanë ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, por Apeli pastaj ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë. Ai gjithashtu thotë se kanë ushtruar edhe mjet tjetër përfaqësues juridik në Gjykatën Supreme, mirëpo sipas tij, përsëri është vërtetuar aktgjykimi prej shkallës së parë dhe shkallës së dytë.

Me këtë rast, Salihu beson se nuk pritet të ketë rigjykim. Pasi që sipas tij, tani ka vendosur Apeli edhe Supremja.

Në anën tjetër, Indeksonline ka biseduar edhe me ish gjyqtarin Faik Hoxha, tash avokat për të mësuar se ku qëndrojnë rrethanat e këtij rasti. Mirëpo, Hoxha nuk ka dashur të jap deklaratë të gjerë përkitazi me rastin në fjalë. Sipas tij, rasti ka ndodhur para disa viteve dhe që tani nuk mund të mbajë mend se për çfarë vendimi bëhet fjalë.

Vlen të përmendim se trupi gjykues i rastit në fjalë para katër viteve ka qenë i përbërë nga Nora Bllaca-Dula, anëtari, Faik Hoxha dhe Valbona Selimaj./Indeksonline/