17:32 / E Enjte, 19 Korrik 2018 / indeksADMonline

Rrëfimi i ish-ushtarit të UÇK-së – qe 8 vite trajtohet në Francë, Kosova s`ia njeh statusin e invalidit

Ishte vetëm 17 vjeç kur u plagos në luftën e fundit të Kosovës. Bajram Krasniqi nga Podujeva ishte ushtar në Komandën e Llapit.

Tashmë janë bërë 8 vite që ai mjekohet në Francë, shtet ky që ia ka njohur statusin e invalidit. Por, halli i Bajramit është se në Kosovë ende nuk ka arritur të marrë këtë status.

Ai teksa flet për “Indeksonline”, e fajëson Komisionin Qeveritar, i cili ndonëse është në dijeni për tri plagët e tij, sërish ia mohoi të drejtën e statusit të invalidit.

Bajrami thotë se plagët i mori teksa po mundohej të tërhiqte familjen Bogujevci, gjë që nuk arriti ta bëj më 28 mars 1999, shkaku i plumbave.

Ai, madje përmend edhe emra që thotë se e dinë këtë rast dhe detyrën të cilën Bajrami nuk kishte mundur ta çonte në fund atë ditë lufte. Megjithatë, më 29 mars ai kishte arritur të tërheqë 300 familje, bashkë me Nazim Veselin për të cilin thotë se sot është rreshter në Policinë e Kosovës.

“Me 28 mars 1999 jom hi me i tërheq familjen Bogujevci, jon kon Duriqi edhe Llugaliu, aty jom plagos në dorë, jom i plagsun edhe në kam. I ka pa komisioni kto. Telashja krejt osht që këta këto nuk po i ngjehin as nuk po u intereson. Kisha pas dëshirë që këtfarë hajnije, këto manipulime me i nal dikush se osht e tepërt edhe mos te hanë mundin tonë se është u i kënaq mundi jon. Me 28 mars nuk munda me i tërheq familjen Bogujevci. Me 29 mars 1999 i kom tërheq prej qendrës në Podujevë 300 familje, Nazim Veselin nga Dumnica i plagosun në 4 vena, sot osht rreshter në Policinë e Podujevës. Mu nuk mundem me më vlerësue as aifar Bellaqefci, aifar hajni, as kërkush hiq, zona e Llapit e di, komandant Lata e di, komandant Remi e di, Katana, Fatmir Bllaca, Bujari, Florim Statovci e din për rastin Bogujevci kur jom hi me i tërhek. Shumë ushtarë e dinë mos t`i përmendi me emra krejt”, shprehet Bajrami.

Bajram Krasniqi në Francë shkoi në vitin 2009, kurse terapitë i nisi menjëherë pas një viti. Por, kur u kthye në Kosovë (para dy javësh) ai u arrestua në pikën kufitare në Morinë, me arsyetimin se e kishte kërcënuar Agim Veliun, kryetarin e tashëm të komunës së Podujevës.

“Dosja ime osht në prokurori. Isha në burg, pasi u ktheva prej France në kufi në Morinë më burgosën gjoja kishe e kam kërcënu Agim Veliun. Jo ato s`janë kërcënime, më liroi prokurorja. Kisha pas dëshirë që ajo me mujt me e pa këtë video. Qe 10 vite bëj terapi në Francë. Komisioni qeveritar në Kosovë është shumë më i mençur se ky në Francë. Franca ma ka dhënë 50 për qind, kurse në Kosovë ma kanë refuzu krejt. Me i kërcënu s`po bon, me dal me i vra s`po bon, t`drejtën ta mohojnë. Depresioni gjithkush e din çka osht. Mun me u bo edhe ma e keqja, me ata pisa me fmi të tyne mun me u bo shumë keq. Iu kanë dhon status të invalidit mas lufte, shoku e ka plagos shokun, se i ka pre në besë, shoku e ka plagos shokun, tash janë invalid”, thotë ai për “Indeksonline”.

Ai thotë se këto deklarata dhe këtë video po e bën me kërkesën që, siç shprehet ai, të ndalen hajnitë.

“Por, këtë video e bana për Komisionin qeveritar, nera iu rrit atyne që më kanë refuzue. Me dal unë dëshmitar edhe në gjykatë edhe gjithkun se janë tu manipulu me invalid të luftës. Mue personal Franca ma ka jep 50 për qind, dosja jem osht në Prokurorinë e Shtetit, edhe osht dokument francez, ata (Komisioni qeveritar) ma kanë refuzu”, deklaron Bajrami.

Ndiqeni rrëfimin e Bajram Krasniqit në videot e mëposhtme: