23:08 / E Martë, 12 Qershor 2018 / indeksADMonline

Rritet numri i thumbimeve nga rriqrat në Kosovë

Problemi me rriqrat po vazhdon që të jetë një shqetësim për qytetarët e Kosovës, sidomos në sezonin e verës.

Klinika Infektive në QKUK po u ofron ndihmë pacientëve të cilët po preken nga pickimi i rriqrave.

Sipas drejtorit të Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani gjatë muajit Maj janë evidentuar 203 raste të pickimit, ku regjioni i Prishtinës prin me 152 persona të pickuar nga rriqrat, duke lënë pas qytetet tjera më numër më të vogël të rasteve.

Sipas Ramadanit, trendi i njëjtë po vazhdon edhe gjatë muajit Qershor, ku vetëm në Prishtinë kanë kërkuar shërbim mjekësor si pasojë e thumbimit nga rriqrat 35 persona. Për të vazhduar me regjionin e Drenasit me 22 raste dhe Obiliqi me vetën dy raste.

“Gjatë muajit maj kemi pasur 203 raste, ku regjioni i Prishtinës ka 152 të pickuar, që kanë kërkuar shërbim mjekësor ambulator”, është shprehur drejtori i Klinikës Infektive.

Sipas tij, edhe pse ka rritje të numrit të pickimit nga rriqrat rastet me ethe hemoragjike janë shumë të ulëta. Në muajin maj ka pasur një rast me ethe hemorragjike nga rajoni i Gjilanit, por që pacienti tashmë është shëruar.

Gjendje e ngjashme është edhe në Komunën e Malishevës, e cila sipas zyrtarëve të saj ka marrë të gjitha masat për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike.

Në këtë komunë deri më tash janë evidentuar 651 raste të pickimit nga rriqrat, ndonëse zyrtarët e kësaj komune bëjë të ditur që numri i personave të pickuar është rritur gjatë këtij viti.

“Këtë vit ka rritje të numrit të thumbimeve, në raport me vitin e kaluar, pasi kushtet atmosferike e kanë favorizuar aktivitetin e rriqrave, por ajo që është shumë me rëndësi, është fakti se ky është viti i pestë radhazi që nuk kemi raste të vdekjeve, si dhe është viti i tretë radhazi që nuk kemi raste të infektuara me virusin e EHKK.” janë shprehur ata.

Zyrtarët brenda Ministrisë së Shëndetësisë për Indeksonline kanë thënë se janë të gjitha masat e parapara për parandalimin e Etheve hemorragjike. Ku sipas tyre për vitin 2018 janë paraparë që të shpenzohen rreth 850 mijë euro, për mbrojtje nga rriqrat.

“Me Planin Operacional ndërministror për parandalimin e etheve hemorragjike, janë paraparë që të shpenzohen për vitin 2018 shuma prej 850 mijë eurosh. Ku Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 250 mijë euro, AVUK dhe Ministria e Bujqësisë nga 200 mijë euro dhe Komuna e Malishevës 100 euro”, janë shprehur ata.

Ndryshe, nga ethet hemorragjike, vetëm në vitin 2014 kanë vdekur 11 persona, ndërkohë që numri I të thumbuarve po vazhdon të jetë i madh./Indeksonline/