10:05 / E Diele, 20 Maj 2018 / indeksADMonline

Rritja e pagave në KEK, ministri Lluka thotë se mund të marrin masa ndaj bordit

Edhe pse Korporata Energjetike e Kosovës muaj më parë iu ka rritur pagat punëtorëve të saj nga 100 euro në mënyrë lineare, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka nuk ka vepruar njësojë sikur me ndërmarrjen e “Ibër lepencit” për shkarkimin e bordit për rritje të pagave.

KEK ka shpërndarë rrogën e 13-të për menaxhmentin dhe Bordin, si dhe bonuese të ndryshme në vazhdimësi për stafin e kësaj ndërmarrje publike, ku paga mesatare është rreth 800 euro, megjithatë, ministri Lluka  tha se nëse Bordi i KEK-ut ka dëmtuar këtë ndërmarrje energjetike me ngritjen e pagave së fundmi për punëtorë, duhet të merren masa edhe ndaj këtij bordi.

“Është Bordi i cili merret me KEK, dhe në fund vlerësohet performanca e Bordit, nëse Bordi ka vendosur gabimisht me rritje të pagave dhe e ka dëmtuar performancën e KEK-ut, atëherë si rezultat edhe duhet të merren masa ndaj atij bordi”, ka thënë ministri Lluka.

Ai ka thënë se KEK-u vitin e kaluar ka deklaruar 10 milionë euro fitim, por që Qeverisë së Kosovës, nuk i paguan devidentë.

Ndërsa, ka sqaruar për vendimin e marrë ditë më parë shkarkimin e katër anëtarëve të Bordit të ndërmarrjes publike “Ibër lepenc”.

“Rasti në “Ibër lepencë”, ka qenë kryesisht për shkak të mos respektimit të ligjit dhe të vendimeve që janë marrë nga ministria për mos shpërndarje të bonuseve… aq më keq edhe ligji e ndalon ndarjen e bonuseve nëse nuk ka performcë të mirë në ndërmarrje. Prandaj, në rastin e “Iber lepencit”, bordi e ka aprovuar një vendim për shpërndarje të bonusit për anëtarë të bordit, si dhe rrogën e 13-të për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes. Rroga mesatre në Iberlepencë është diku 900 euro, pranoj, është një impakt buxhetor shumë i madh”, ka thënë ministri Lluka për KosovaPress.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka miratuar më 8 maj propozimin për shkarkimin e anëtarëve të bordit të drejtorëve në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenc”, pasi Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar shpërndarjen e bonuseve për shkak të gjendjes së rëndë të ndërmarrjeve publike.