17:11 / E Martë, 10 Korrik 2018

Rritje e ndjeshme e rasteve të ekzaminuara me MRI

ShkruanNysret Rexhepi, Fizioterapeut i diplomuar, Gjilan

Faktor për rritjen e numrit të ekzaminimeve me MRI të gjurit janë të lidhura ngushtë me lëndimet e gjurit.

Numri i rasteve të ekzaminuara me MRI

Gjatë analizimit të rasteve të numrit të pacienteve që i janë nënshtruar ekzaminimit të gjurit përmes MRI në qendrën diagnostike Aloka gjetjet tona kanë qenë: në vitin 2014 numri i pacientëve ka qenë 745, në vitin 2016 gjithsej 738, ndërsa në 2018 gjithsesi 1047 vetëm 6 mujori i parë. Nëse ky numër vazhdon në jetë i njëjtë edhe në 6-të mujorin e dytë, i bie të kemi trefishim të rasteve të ekzaminuara.

Pas analizimit të rasteve të lënduar te sportistet, del të jenë këta faktorë kryesor në rritjen e numrit të lëndimeve:

Rritja e ambicieve nga ana e lojtarëve dhe trajnerëve për një paraqitje më të mirë, duke rritur intensitetin e ushtrimeve.

  1. Mungesa e trajnerëve kondicional.
  2. Gjendja e terreneve ku realizohen ushtrimet, ku ndodh brenda javës të stërvitin në 3 terrene të ndryshme (si bari artificial, pastaj në terrene tepër të forta dhe në terren me baltë).
  3. Abuzimi me proteina (suplemente) nga ana e lojtarëve, vetëm e vetëm për të rritur performancën.
  4. Kequshqyeshmëria, etj.

Mirëpo, ky numër i rritur i ekzaminimeve mund të jetë faktor kryesor në parandalimin e mëtutjeshëm të lëndimeve, sepse sportistët po merren më shumë me veten në afat kohor të duhur dhe kjo ndikon që lëndimet e vogla të mos kalojnë në lëndime më të mëdha ku intervenimi kirurgjikal është i domosdoshëm.

Gjuri

Anatomia e gjurit

Gjuri nuk është nyje e thjeshtë që bën lëvizje vetëm në një rrafsh. Kondylet femorale kanë gjatësi të ndryshme dhe fleksioni realizohet si kombinim i rrëshqitjes dhe rrotullimit të kondyleve femorale mbi kërcën e tibisë. Rrotullimi i tibisë realizohet në fund të ekstensionit me rrotullim të brendshëm të femurit në tibi, sikurse mekanizmi bllokues i bravës së derës.

Meniskuset janë absorbues të shokut në gju dhe shpërndajnë ngarkesën e transmetuar përmes nyjës. Ligamenti kruciat i përparmë (ACL) kontrollon lëvizjen përpara të tibisë në raport me femurin, ndërsa ligamenti i pasmë kruciat (PCL) kontrollon lëvizjen e pasme.

Muskujt kvadriceps dhe hamstring kontribuojnë në stabilitetin e gjurit dhe kompensimin në masë të caktuar të lëndimeve të ligamenteve.

Ecja

Pacienti me dhembje gjuri zakonisht ecën me gjurin në pozitë të shtanguar duke e shpejtuar hapin në anën e lënduar, e ashtuquajtur ecja antalgjike.

Deformimet

Kontraktura fleksive dhe ekstensive është e shpeshtë, si deformitete tjera të gjurit janë genu valgum gjunjët në formë të shkronjës X, genu varum forma e shkronjës O, dhe gjuri në hiperakstenzion genurecurvatum.

Lëndimet e gjurit

Zgjatja e ligamenteve anësore lig.colateral medal lig.colateral lateral

Janë mjaft të shpeshta gjatë lëndimeve sportive. Pas zgjatjes, pacienti ka dhembje, mirëpo nyja mbetet stabile, rehabilitimi kërkon pushim dhe ushtrime të këmbës.

Ruprura komplete e ligamenteve kolaterale

Diagnostikohet pas demonstrimeve klinike të jostabilitetit gjatë stresit në valgus dhe varus, MRI jep fjalën e fundit ne diagnostikim.

Ruptura e ligamentit kruciat të përparmë ACL

Çdo sportist, por edhe të tjerë, që kanë histori të përdredhjes së gjurit, që kanë dëgjuar kërcitje apo klik dhe kanë pasur të pamundur të vazhdojnë lojën për shkak të ënjtjes dhe dhembjeve në gju, duhet të llogaritin se ka këputur ligamentin ACL, deri sa të mos vërtetohet e kundërta. Lëndimi më së shpeshti ndodh në sportet, sikur futbolli, basketbolli, skijimi, ragbi, etj. Incidenca është rreth 40:10000 banor në vit.

Diagnoza bazohet në anamnezë, prezenca e efuzionit dhe hemartrozës, testi i Lachmanit është më senzitiv, ndërsa MRI jep fjalen e fundit në diagnostikim.

Ruptura e ligamentit kruciat të pasmë PCL

Ruptura e ligamentit të pasmë kruciat është më e rrallë, kurse janë tipike për portierët dhe shoferët në aksidente komunikacioni.

Trajtimi i rupturës (shqyerjes) së ligamenteve

Pas çdo lëndimi të gjurit, këshillohen lëvizjet e hershme të gjurit. Vetëm në rastet kur gjuri është i bllokuar në fleksion tek ruptura e ACL nevojitet ndërhyrja kirurgjike emergjente; normalisht fillohet me fizioterapi me planin preoperativ deri sa të merret vendimi për kirurgji.

Pacientët e rinj që janë sportist aktiv, kanë nevojë për rekonstruksion të hershëm. Pacientët e vjetër duhet të trajtohen në mënyrë konservative dhe, vetëm në rastet kur gjuri ka jostabilitet dhe pacienti ankohet për të, indikohet rekonstruksioni ligamentar.

Rekonstruksioni i ligamenteve realizohet nga ortoped specialist duke përdorur autograft (transplanti nga vetë pacienti) për zëvendësim të ligamentit të rupturuar.

Pas intervenimit kirurgjikal barra bie mbi fizioterapeutin i cili e riaftëson për lojë brenda afatit kohor prej 6 muajve.

Lëndimet meniskeale

Menisqet janë struktura amortizatore fibrokartilagjinoze të gjurit, të lidhura fort me ashtin e tibias. Menisku medial është më rrethorë ndërsa ai lateral në formë të shkronjës C. Pasi që menisku latera është mobil, ai mund ti ikë lëndimit potencial. Menisku medial është më i fiksuar dhe është dy herë më i predispozuar se sa ai lateral për qarje.

Qarja e menisqeve

Janë lëndimet më të shpeshta të gjurit, pacienti, zakonisht një djalë sportist i ri, përdredh gjurin deri sa ai është në pozitë të mbledhur dhe me tërë peshën në atë këmbë. Ai do të ketë ndjerë (‘shqyerje të diçkaje’) dhe të ketë dhembje të mëdha në gju. Gjuri mund të bllokohet p.sh të jetë e pamundur shtrirja, por papritmas të zhbllokohet. Futbollisti zakonisht nuk mund të vazhdojë lojën. Pas lëndimit gjuri pëson ënjtje që fillon pas 15-30 minutave.

Enjtja dhe dhembja qetësohen brenda disa ditëve dhe gradualisht rikthehet shtrirja e plotë e gjurit. Mirëpo simptomat mund të rikthehen nëse gjuri provokohet sikurse gjatë lojës së futbollit apo përdredhjes se gjurit gjatë punës. Në këto raste gjuri bllokohet në mënyrë intermitente, ‘tenton të dalë nga vendi’ për shkak të refleksit inhibues të kuadriciepsit, duke shkaktuar dhembje dhe ënjtje.

Qarja mund të jetë longitudinale duke ndarë fragmentin qendror nga ai lateral “bucket handle”, shkolitje periferike duke prekur brirët e përparmë ose të pasmë të meniskusit, e zakonshme është edhe qarja horizontale “qarja si sqepi i papagallit”. MRI është zgjedhja e duhur nëse diagnoza është e dyshimtë.

Meniskotomia

Tashmë të gjitha intervenimet kirurgjike në menisqe kryhen me anë të artroskopisë. Janë prodhuar instrumente speciale për të kryer manovrat operative përmes vrimave të vogla nën pamje artroskopike direkte, nyja nuk hapet dhe rehabilitimi është shumë më i shpejtë.

Pas intervenimit kirurgjik vjen në shprehje puna e fizioterapeutit, ku rikthimi në fushë i sportistëve realizohet për 4-6 javë

Patologji tjera të gjurit janë:

  1. Sëmundjet kongjenitale dhe zhvillimore
  2. Luksacioni i gjurit
  3. Luksacioni i patellës
  4. Ruptura e kuadricepsit
  5. Ruptura e ligamentit patellar
  6. Frakturat e tibias dhe fibulës
  7. Sëmundjet inflamatore
  8. Sëmundjet degjenerative

Imazhimi me rezonancë magnetike

Pacienti vendoset në tunelin e skanerit dhe i nënshtrohet një fushe magnetike të intensitetit të lartë. Parimi kryesor i MRI-së është studimi i reagimit të një indi të magnetizuar ndaj një pulsi me radio frekuencë, ku indet e sëmura kthejnë sinjale të ndryshme krahasuar me ato të shëndosha.

Përdorimi:

▪ Sistem nervor qendror (SNQ)

▪ Sistemi muskuloskeletor: imazhimi i saktë i nyjave, tendinëve, ligamenteve dhe jonormaliteteve të muskujve

▪ Zemër

▪ Toraks

▪ Abdomen

▪ Pelvis

Përparësitë:

▪ Mund të imazhojë në çdo rrafsh – transversal, sagjital dhe frontal

▪ Është jojonizues

▪ Detale të shkëlqyeshme anatomike sidomos të indeve të buta

▪ Vizualizon enët e gjakut pa ndihmën e mjeteve të kontrastit.

Mangësitë:

▪ Kosto e lartë operative

▪ Imazhe të dobëta të fushave pulmonare

▪ Kontraindikohet tek pacientët me pejsmeker, trupa të huaj metalik në sy dhe kapse të aneurizmave arteriale (mund të nxirren nga vendi prej fushës së fuqishme magnetike).